Presidenti Trump kërcënon Iranin nëse provokon njësitë e SHBA në det të hapur

Tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara u rritën në fillim të këtij viti pas vrasjes nga Shtetet e Bashkuara me dron në Irak të Kasem Sulejmanit, kreut të forcës elitë iraniane Quds.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se i ka dhënë urdhër Marinës së SHBA të shkatërrojë çdo anije iraniane që provokon njësitë e saj në det të hapur.

Deklarata vjen një javë pasi 11 anije të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit iu afruan në mënyrë të rrezikshme anijeve amerikane në Gjirin Persik.

Në vitet 2016 dhe 2017, ndërveprimet nga afër me anijet ushtarake të Iranit nuk kanë qenë të pazakonta. Në disa raste, anijet e marinës amerikane kanë qëlluar në mënyrë paralajmëruese drejt anijeve iraniane kur ato janë afruar së tepërmi.

Edhe pse Marina ka autoritetin të veprojë në vetëmbrojtje, komentet e Presidentit Trump duket se shkojnë më tej dhe ka të ngjarë të shtojnë tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

“E kam udhëzuar Marinën e Shteteve të Bashkuara të qëllojë dhe shkatërrojë çdo anije luftarake të Iranit, nëse ato ngacmojnë anijet tona në det”, shkruante Presidenti Trump në një koment në Twitter, pak orë pasi Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit thanë se kishin lëshuar në orbitë satelitin e parë ushtarak iranian.

Në fillim të këtij muaji, ushtria amerikane njoftoi se njëmbëdhjetë anije të Gardës Revolucionare të Iranit iu afruan rrezikshëm anijeve të Marinës dhe Rojeve Bregdetare amerikane në Gjirin Persik, duke i quajtur këto lëvizje “të rrezikshme dhe provokuese.”

Në një rast, anijet iraniane iu afruan deri në 10 metra kryqëzotit amerikan Maui.

Ndërsa ndërveprime të tilla në det kanë ndodhur herë pas here disa vjet më parë, ato ishin ndërprerë kohët e fundit.

Tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara u rritën në fillim të këtij viti pas vrasjes nga Shtetet e Bashkuara me dron në Irak të Kasem Sulejmanit, kreut të forcës elitë iraniane Quds.

Irani u hakmor më 8 janar me një sulm me raketa në bazën Ain al-Asad të Irakut, ku ishin stacionuar forca amerikane. Asnjë nga trupat amerikane nuk u vra, por më shumë se 100 prej tyre u diagnostikuan më vonë me dëmtime traumatike në tru.

Trupat e Rojeve Revolucionare të Iranit thanë të mërkurën se lëshuan me sukses në orbitë satelitin e parë ushtarak të vendit. /VoA