Në Kampionatin Botëror në Futboll që po mbahet në Rusi, të enjten ka përfunduar raundi i parë i garave në grupe, ku janë zhvilluar 48 ndeshje, nga gjithsej 64 sa do të luhen deri në fund, në të cilat janë shënuar 122 gola, më saktësisht 2.5 për ndeshje, analizon Anadolu Agency (AA).
Arbritrat kanë treguar 158 kartonë të verdhë (3.4 për ndeshje) dhe vetëm tre të kuq (0.06). Lojtarët e kombëtareve kanë pasuar gjithsej 36.349 topa të saktë, ose 757.3 për një ndeshje.
Skuadra me numrin më të madh të golave të shënuar, është kombëtarja e Belgjikës, gjithsej nëntë, ndërsa vlen të theksohet se numrin më të madh të sulmeve tek porta kundërshtare ka kombëtarja e eliminuar, Gjermania (252). Ashtu siç pritej, numrin më të madh të pasimeve të sakta, e ka pasur kombëtarja e Spanjës (2.089), ndërsa Irani është kombëtarja me numrin më të madh të ndërhyrjeve të mbrojtjes, 149.
Numri më i madh i golave të shënuar në një ndeshje, janë shënuar në përballjet Belgjikë-Tunizi, që përfundoi me rezultatin 5:2, dhe në duelin Angli-Panama, 6:1.
Ndeshja e Belgjikës me Panamanë, është përballja me numrin më të madh të kartonëve në një ndeshje, gjithsej tetë të verdhë.
Derbi i ndeshjes së parë të grupit B, ishte një ëmbëlsirë e vërtetë për futbolldashësit, ndoshta dhe ndeshja më e bukur e Kampionatit. Bëhet fjalë për takimin Portugali-Spanjë (3:3), që do të mbahet mend për numrin më të madh të pasimeve të sakta, 997.
Aktualisht, golashënuesi më i mirë i “Rusi 2018” është Harry Kane (Angli) me pesë gola, një më shumë se Cristiano Ronaldo (Portugali) dhe Romelo Lukaku (Belgjikë).
Numrin më të madh të goditjeve në portën kundërshtare ka Neymar (Brazil), 17, ndërsa futbollisti që ka vrapuar më së shumti është futbollisti i Danimarkës, Christian Eriksen, i cili ka vrapuar 36 kilometra, ose 12 për një ndeshje. Lider për nga saktësia e pasimeve në fazën e grupeve është gjermani Toni Kross (310), ndërsa portieri me më së shumti mbrojtje është meksikani Guillermo Ochoa, 17.
Kampionati Botëror “Rusi 2018 “vazhdon të shtunën, me ndeshjet e të tetës së finales.