Maqedoni e Veriut, konfirmohen 6 raste të reja me koronavirus
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, njoftoi se te gjashtë pacientë të rinj është konstatuar koronavirusi i ri (COVID-19).
Me këtë, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në vend arrin në 19, nga të cilat një pacient tashmë është shëruar.
Ministri Filipçe tha në një konferencë shtypi se 12 persona janë testuar sot për koronavirus, gjashtë prej të cilëve kanë rezultuar pozitivë. Pesë janë nga Dibra, ndërsa një pacient ka mbërritur nga Spanja.
“Pesë pacientët e infektuar së fundmi janë në spitalin e Dibrës dhe do të mjekohen atje. Atje ka staf, një epidemiolog dhe dy infektologë që mund t’i trajtojnë këta pacientë”, tha Filipçe, duke shtuar se të gjithë kanë janë me simptoma të lehta.
Ministri Filipçe theksoi se qeveria ka formuar një Shtab të Krizave të kryesuar nga kryeministri teknik Oliver Spasovski dhe do të përbëhet nga ministri i Shëndetësisë, Mbrojtjes, Punëve të Brendshme, Transportit dhe Lidhjeve, Financave, Arsimit dhe Shkencës, Punëve të Jashtme, si dhe drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Gjithashtu, ministri Filipçe informoi për masat shtesë të miratuara nga qeveria kundër koronavirusit.
“Të gjitha vendkalimet kufitare tokësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë të mbyllura, përveç Tabanocit, Deve Bairit, Qafë Thanës, Bogorodicës dhe Bllacës, të cilat do të jenë të hapura për vendkalime të udhëtarëve dhe automjeteve. Të ndalet puna në aeroportin në Ohër, konkretisht të mbyllet vendkalimi kufitar në këtë aeroport 48 orë pas miratimit të kësaj mase”, tha Filipçe.
“Të ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shtetasve të huaj dhe të vendeve me rrezik të mesëm sipas listës së OBSH-së të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë, përveç atyre personave për të cilët MPB do të japë leje pas mendimit nga Shtabi kryesor i Koordinimit të Krizave i cili do të konfirmojë se ekziston një interes i veçantë shtetëror ose ekonomik që këta persona hyjnë në vendin tonë në përputhje me protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë”, shtoi ai.
Një nga masat është gjithashtu mbyllja e të gjitha dyqaneve në qendrat tregtare në territorin e Maqedonisë së Veriut, përveç supermarketeve, dyqaneve ushqimore dhe farmacive. Të gjithë personat e tjerë juridikë mund të punojnë dhe të bëjnë një shitje alternative.
“Ndalohet plotësisht puna e kafiterive, bareve, klubeve, kazinove dhe bastoreve sportive. Të gjitha lokalet mund të funksionojnë pa konsumatorë, domethënë, ata mund të shesin ushqim në mënyrë alternative dhe ta dërgojnë”, tha ministri Filipçe.
Qeveria ditën e djeshme mori një vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Dibër dhe Qendër Zhupë, kurse presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, mori vendim për angazhimin e ushtrisë për të mbështetur vetëqeverisjen lokale në Dibër dhe Qendër Zhupë dhe për të mbështetur forcat policore të MPB-së për sigurimin e një pjese të kufirit shtetëror me Republikën e Shqipërisë në territorin e Komunës së Dibrës.
Kohëzgjatja e veprimtarisë dhe angazhimit të forcave dhe kapaciteteve të ushtrisë do të jetë nga 13 marsi deri më 11 prill.
Kosovë, shkon në 5 numri i të prekuve me koronavirus
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi se krahas tri rasteve pozitive të deritanishme, sot pasdite në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Iinstitutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) me koronavirusin e ri (COVID-19) janë konfirmuar edhe dy raste të reja.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e ministrisë, njëri rast është nga Stublla e Vitisë (kontakti i rastit të parë) i gjinisë mashkull, 42-vjeçar, dhe rasti tjetër një shtetase kosovare me qëndrim në Itali-Brescia, 37-vjeçare femër, e cila ka ardhur në Kosovë nëpërmjet aeroportit “Adem Jashari” më 1 mars.
Vendi i qëndrimit të kësaj të fundit ka qenë fshati fshati Bubavec, Komuna e Malishevës.
IKSHPK gjatë datës 14 mars 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për 67 raste të dyshimta me COVID-19.
Nga data 8 shkurt deri me 14 mars të këtij viti, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 207 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2, dhe gjithsej pesë prej tyre kanë rezultuar pozitive, tha ministria.
Covid-19, Sllovenia ndalon transportin publik
Transporti publik në gjithë Slloveninë do të ndalojë së funksionuari nga mesnata, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Përmes një deklarate për media, Qeveria sllovene po ashtu tha se taksitë do të lejohen të marrin pasagjerë, vetëm nëse “kanë bërë dezinfektimin e duhur të pjesëve të automjetit, që janë në kontakt fizik me pasagjerin”.
Sllovenia ka aktualisht 96 raste të konfirmuara me koronavirus.
Greqi/ Shkon në 331 numri i të prekurve nga Koronavirusi
Ka shkuar në 331 numri i të prekurve nga koronavirusi në Greqi.
49 raste të reja janë shënuar vetëm ditën e sotme. Ndërsa në dy ditët e fundit numri është rritur me 30 për qind.
Shumica e rasteve janë shënuar në Athinë, ndërsa raportohet se 8 pacientë janë në gjendje të rëndë.
Gjithsej janë kryer 4000 analiza ndërsa 10 persona kanë dalë nga spitali.
Spanjë, raportohen raste të reja të vdekjeve nga COVID-19, numri i përgjithshëm i viktimave arrin në 288.
Kinë, regjistrohen 10 vdekje dhe 20 raste të reja me COVID-19
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë njoftoi se dhjetë persona të tjerë kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga koronavirusi i ri (COVID-19), ndërsa janë zbuluar 20 raste të reja.
Komisioni kinez njoftoi se në 24 orët e fundit kanë vdekur dhjetë njerëz, të gjithë në Wuhan, ndërsa 20 raste të reja u zbuluan nga autoritetet, ndërkohë që afro 11.000 njerëz aktualisht janë nën trajtim mjekësor.
Numri i vdekjeve nga shpërthimi i koronavirusit të ri në Kinë ka arritur në 3.204, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara u ngjit në 81.048, bazuar në shifrat e OBSH-së.
Pas shfaqjes në Wuhan në dhjetor, virusi është përhapur në rreth 150 vende dhe territore, duke shkaktuar mijëra të vdekur.
Iran, rritet për 113 numri i viktimave nga koronavirusi, shifra totale shkon në 724
Numri i vdekjeve nga shpërthimi i koronavirusit të ri (COVID-19) në Iran është rritur në 724.
Gjithsej 113 njerëz kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, ndërsa janë shfaqur 1.209 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 13.938, tha televizioni shtetëror iranian duke cituar zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour.
Ndërkaq, 4.590 persona në total janë liruar nga spitalet pas shërimit nga virusi, shtoi Jahanpour.
Rasti i parë i koronavirusit në vend u konfirmua në provincën Qom më 19 shkurt.
Krahas Kinës, Italisë dhe Koresë së Jugut, Irani gjendet në mesin e vendeve më të prekura nga virusi.
Si pjesë e përpjekjeve të saj për të parandaluar përhapjen, Teherani ka ndërmarrë disa masa, duke përfshirë mbylljen e të gjitha shkollave dhe institucioneve të arsimit të lartë, duke anuluar ngjarjet sportive dhe duke ndaluar zyrtarët qeveritarë të largohen nga vendi.
Kujtojmë se pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në rreth 150 vende dhe territore, duke shkaktuar mijëra të vdekur. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.
Kroaci, konfirmohen shtatë raste të reja me koronavirus
Selia e Mbrojtjes Civile e Republikës së Kroacisë raportoi se janë konfirmuar shtatë persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) rishtazi në Kroaci, gjë që e rrit në 46 numirin e të prekurve deri më tani.
Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh, njoftoi se 46 pacientë kanë rezultuar pozitivë në Kroaci, shtatë raste të reja, pesë prej të cilëve janë në Osijek.
“Bëhet fjalë për një përhapje familjare në dy familje nga kontaktet e mëparëshme pozitive”, tha Berosh.
Aktualisht në Kroaci janë duke u trestuar 724 mostra, kurse në përpunim janë 38.
Drejtoresha e Klinikës së Sëmundjeve Infektive “Dr. Fran Mihaljevic”, Alemka Markotiç, tha se pacientët e rinj me koronavirus gjithashtu nuk kanë sëmundje serioze.
Markotiç tha se është shumë e rëndësishme që të gjithë personat të cilëve u është caktuar masa e vetëizolimit, në të shumtën e rasteve të atyre që ishin në kontakt të ngushtë, t’u përmbahen në mënyrë rigoroze masave, pavarësisht nëse kanë simptoma apo jo, sepse, siç deklaroi ajo, një pjesë e konsiderueshme e bartësve të virusit nuk zhvillon asnjë ose pothuajse asnjë simptomë.
Bazat e këtyre persona që janë në izolim janë në monitorim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kështu që nëse një person shkel masën e vetëizolimit, ndaj personit ngritet procedurë penale, kurse gjobat arrijnë deri 1.060 euro.
Qeveria kroate në një seancë telefonike dje kufizoi çmimet e vezëve, miellit, qumështit dhe ushqimeve të tjera thelbësore.
Katër raste të tjera me koronavirus në klubin e Valencisë
Pas lajmit të sotëm se nga koronavirusi i ri (COVID-19) është prekur qendërmbrojtësi i klubit të futbollit Valencia, Ezequiel Garay, janë konfirmuar edhe katër raste të tjera të infeksionit në klubin e divizionit të parë spanjoll.
Klubi përmes një njoftimi në rrejtin social Instagram theksoi se përveç Ezequiel Garay, në radhët e Valencisë me koronavirus janë prekur dhe katër të tjerë.
Nuk u dhanë informacione të detajuara se për cilët kë bëhet fjalë, por u tha se rastet kanë të bëjnë me persona mes futbollistëve dhe anëtarëve të stafit teknik. Po ashtu, u konfirmua se të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe aktualisht janë në karantinë.
Garay bëri njoftimin përmes mediave sociale sot, duke konfirmuar se është lojtari i parë i LaLiga-s që ishte pozitiv me kornavirus.
Austria kufizon lëvizjet në vend për shkak të koronavirusit
Kancelari austriak Sebastian Kurz të dielën deklaroi se ka vetëm tre arsye pse qytetarët e këtij vendi do të duhej të dalin nga shtëpitë tyre, për punë, për blerjet e domosdoshme, siç është ushqimi, dhe ndihma për njerëzit e tjerë.
Udhëheqësi austriak tha se qeveria e tij ka kufizuar lëvizjen e njerëzve në të gjithë vendin si masë paraprake kundër përhapjes së koronavirusit të ri, të njohur si COVID-19.
Ai tha se njerëzit mund të dalin “vetëm ose me njerëzit me të cilët jetojnë në shtëpinë e tyre”.
Reagimi i Kurz erdhi pasi guvernatori i Tirolit njoftoi karantinë për rajonin.
Austria, një vend me popullsi me mbi 8,8 milionë njerëz, ka konfirmuar një vdekje dhe 800 të infektuar me koronavirus.
Guenther Platter, guvernatori i krahinës, njoftoi të dielën se njerëzit do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për blerje të ushqimit dhe ilaçeve ose për vizita te mjeku.
Koronavirusi u shfaq në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit të kaluar dhe është përhapur në rreth 150 vende dhe territore për një kohë të shkurtër, duke shkaktuar mijëra të vdekur.