COVID-19 ka detyruar botën që izolohet tërësisht, ndërsa autoritetet po përpiqen të ndalojnë përhapjen e virusit. Që kur coronavirus u shfaq për herë të parë në Kinë në dhjetor, ka vrarë më shumë se 4200 njerëz në mbarë botën.
Spanjë, në 24 orët e fundit, mbi 1.500 të infektuar me koronavirus
Gjatë 24 orëve të fundit në Spanjë me koronavirusin e ri (COVID-19) janë infektuar mbi 1.500 veta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet shëndetësore në vend bëjnë të ditur se nga koroanvirusi janë infektuar 5.945 persona, prej të cilëve pothuajse 3.000 në kryeqytetin Madrid.
Deri të premten vonë në Spanjë u regjistruan 120 raste të vdekjes nga COVID-19, ndërsa aktualisht numri është rritur në 191.
Auteoritetet spanjolle do të takohen të shtunën për të shapllur gjendje të jashtëzakonshme dyjavore, duke i dhënë qeverisë autorizime shtesë të cilat përfshijnë edhe kufizimin e lëvizjes së lirë.
Ndër masat që duhet të ndërmerren sot, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, është dhe kontrolli i industrisë dhe objekteve private, duke përfshirë spitalet private.
Banorët e Madridit, ku janë një numër i madh i të infektuarve, dhe në pjesën verilinodre të Katalonjës, mëngjesin e së shtunës u zgjuan me restorante dhe kafene të mbyllura, si dhe dyqane të ndryshme, me urdhër të autoriteteve lokale.
Shkolla Londineze e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale thotë se Spanja dhe SHBA aktualisht kanë hovin më të madh të përhapjes në botë.
Efektet e masave të reja të marra për të luftuar përhapjen e virusit deri më tani pritet të ndihen brenda kësaj jave. E premtja ishte dita e parë që u mbyllën të gjitha shkollat në të gjithë vendin.
Iran, rritet në 611 bilanci i të vdekurve nga koronavirusi
Numri i vdekjeve nga shpërthimi i koronavirus të ri (COVID-19) në Iran u rrit në 611, njoftoi televizioni shtetëror, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet thanë se 97 njerëz kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, ndërsa janë konfirmuar 1.365 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 12.729, tha televizioni shtetëror i Iranit, duke cituar zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour.
Gjithsej 4.339 persona janë larguar nga spitalet pas shërimit nga virusi, shtoi Jahanpour.
Krahas Kinës, Italisë dhe Koresë së Jugut, Irani gjendet në mesin e vendeve më të prekura nga virusi, cili shpërtheu dhjetorin e kaluar.
Kujtojmë se numri global i vdekjeve nga koronavirusi i ri ka shkuar në mbi 5.000, me rreth 145 mijë raste të konfirmuara. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.
Francë, konfirmohet futbollisti i parë i prekur me koronavirus
Një futbollist i skuadrës Troyes nga Liga e Dytë e Futbollit në Francë (Ligue 2) ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Klubi francez tha në një deklaratë se dy persona në Troyes, një futbollist dhe një person nga akademia, kanë rezultuar pozitiv me virusin dhe po mbahen në karantinë, pa shpalosur emrat e tyre.
Ky rast paraqet të parin te një futbollist në Francë.
Ndërkohë, media franceze shkroi se bëhet fjalë për jugkoreanin 28-vjeçar Suk Hyun-Jun
Serbi, rritet në 41 numri i rasteve me COVID-19
Gjithsej 41 raste të të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) janë konfirmuar deri më tani në Serbi, raporton Anadolu Agency (AA).
Së fundmi janë testuar 17 persona, prej të cilëve gjashtë kanë rezultuar pozitivë dhe 11 negativë ndaj koronavirusit.
Sipas një raporti nga Ministria e Shëndetësisë, katër nga gjashtë personat e infektuar së fundmi janë në izolim në shtëpi dhe janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa dy janë mbajtur në spital, por edhe ata janë pa komplikime dhe në gjendje kryesisht të qëndrueshme.
Deri më tani, në Serbi janë testuar në total 256 persona.
Kroaci, 37 persona të prekur nga koronavirusi
Klinika “Dr. Fran Mihaljeviç” ka konfirmuar pesë raste të reja të të prekurve nga koronavirusi, kështu që numri i pacientëve të konfirmuar deri më tani me COVID-19 në Kroaci ka shkuar në 37, transmeton Anadolu Agency (AA).
Selia Kombëtare e Mbrojtjes Civile konfirmoi në një konferencë të rregullt për shtyp se gjithsej 37 persona janë infektuar me koronavirus në Kroaci.
Këto janë pesë raste të reja nga dje, kurse anëtarët e stafit thanë se ato ishin të gjitha raste të importuara ose persona me kontakte të ngushta me rastet e njohura.
Dy raste të reja janë regjistruar në Osijek, dhe nga një në Sisak, Varazhdin dhe Zagreb.
Avokatja e Popullit për fëmijë Helenca Pirnat Dragiçeviç komentoi rastin e një fëmije të prekur, duke thënë se fëmijët janë grup i cenueshëm dhe se është e rëndësishme të mos zbulohen informacione ose të zbulohet identiteti i fëmijës.
Nga këta 37 pacientë, një raportohet të jetë shëruar, duke pasur parasysh që ajo ishte ndër të parat që kishte kontraktuar koronavirusin në Kroaci.
Arabia Saudite pezullon fluturimet ndërkombëtare për shkak të COVID-19
Arabia Saudite njoftoi pezullimin e udhëtimeve ndërkombëtare me avionë pasagjerësh për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare saudite të lajmeve (SPA), thuhet se një zyrtar nga Ministria e Brendshme ka njoftuar pezullimin që nga ora 11:00 e datës 15 mars për udhëtimet ndërkombëtare me avionë të pasagjerëve me qëllimin sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve në vend nga COVID-19.
Ndër të tjera, autoritetet theksuan rrezikun dhe rikujtuan se COVID-19 është përhapur në 117 vende në botë dhe është cilësuar “pandemi” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Kinë, rritet në 3.200 numri i të vdekurve nga koronavirusi
Numri i të vdekurve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit të ri (COVID-19) është rritur në 3.200, njoftoi sot Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Komisionit, në 24 orët e fundit 13 persona kanë vdekur, ndërsa 11 raste të reja janë zbuluar nga autoritetet, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 80.824.
Pas shfaqjes në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, virusi është përhapur në të paktën 123 vende në mbarë botën.
Numri global i vdekjeve tani ka shkuar në rreth 5.000, me më shumë se 132 mijë raste të konfirmuara, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila shpërthimin e shpalli “pandemi”.
Slloveni, konfirmohen 141 raste të koronavirusit
Në Slloveni deri në orën 14:00 sot është konfirmuar rasti i 141 i infeksionit me koronavirusin, ndërsa janë testuar 4.346 persona, bëri të ditur Instituti nacional për shëndet publik (INSHP), transmeton Anadolu Agency (AA).
Kështu, 45 raste janë regjistruar në Slloveni më shumë sesa të enjten në mbrëmje, ndërsa me rritjen më të madhe të numrit të infeksioneve të regjistruara në rajonin e Lubjanës.
“Gjendemi në fazën e dytë të kufizimit të kontakteve sociale sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Nina Pirnat nga INSHP, njoftuan mediat sllovene.
Simona Repar Bornsek, sekretare e shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë së Sllovenisë tha se që nga e hëna, të gjitha spitalet kanë hequr shërbimet dhe ndërhyrjet që nuk janë urgjente ose të nevojshme, përveç onkologjisë dhe kujdesit për gratë shtatzëna. Të gjitha shërbimet stomatologjike janë të mbyllura, me përjashtim të shtatë pikave urgjente në Slloveni.
Itali, numri i vdekjeve nga koronavirusi rritet në 1.266
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri COVID-19 në Itali është rritur në 1.266, pas 250 vdekjeve të regjistruara vetëm gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për shkak të epidemisë COVID-19 që shpërtheu më 21 shkurt në vend, bilanci i viktimave vazhdon të rritet.
Shefi i mbrojtjes civile, Angelo Borelli, në një konferencë për media në Romë informoi për situatën e fundit për rastet e personave të infektuar me COVID-19 në të gjithë vendin, duke theksuar se numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit është rritur në 14.955, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve, përfshirë vdekjet dhe shërimet, ka arritur në 17.660.
Borrelli tha se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 250 vdekje, duke e rritur numrin në gjithsej 1.266 të vdekur.
Ai tregoi se 890 të vdekjeve kanë ndodhur në rajonin e Lombardisë, vendi më i prekur nga virusi.
Borelli gjithashtu tha se numri i të shëruarve është rritur në 1.439.
Iran, një nga komandantët e Gardës Revolucionare humb jetën nga COVID-19
Brigadier Gjeneral Naser Shabani, një nga komandantët e Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit, ka humbur jetën si rezultat i infektimit nga koronavirusi i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmi për vdekjen e Shabanit, ish-komandant në Selinë Sarallah në Teheran, u bë i ditur nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Fars.
Ai ka nisur karrierën ushtarake në vitin 1982 gjatë luftës midis Iranit dhe Irakut dhe ka kryer detyra të ndryshme.
Kujtojmë se në Iran deri më tani 514 persona kanë humbur jetën nga COVID-19, ndërsa numri i të prekurve ka kaluar në mbi 11 mijë. Ndërkaq, 3.529 persona janë shëruar.
Virusi tashmë ka rezultuar fatal për disa zyrtarë të Iranit, përfshirë klerikun Hadi Husrevshahi, politikanin Mohammad Mirmohammadi, ish-ambasadorin në Damask Hossein Sheikholeslam dhe deputeten Fatima Rahbar.
Ukrainë, shënohet rasti i parë i vdekjes nga Covid-19
Për shkak të koronavirusit të ri (Covid-19) në Ukrainë ka vdekur një grua e moshës 71-vjeçare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Zyra për media e Ministrisë së Shëndetësisë të Ukrainës, thuhet se pavarësisht ndërhyrjeve ka humbur jetën një grua e cila ishte diagnostikuar dje me Covid-19 në rajonin Jitomir.
Si pasojë janë vendosur në karantinë anëtarët e familjes së gruas 71-vjeçare që humbi jetën, që është rasti i parë i vdekjes në Ukrainë nga Covid-19, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe të Mbrojtjes së Ukrainës në një konferencë për media njoftoi se në kuadër të vendimeve të marra, pas dy ditësh kufijtë e Ukrainës do të mbyllen për dy javë për shtetasit e huaj.