Gazeta amerikane “Washington Post” ka publikuar pamje satelitore për të cilat pretendon se janë nga “varreza masive e të vdekurve nga koronavirusi i ri (Covid-19) në qytetin Qom të Iranit”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në pamjet e publikuara nga ueb-faqja e gazetës mund të shihet se zona e varrezës në rajonin “Beheshte Masum” në Qom është e zbrazët në tetor të vitit 2019, ndërsa pas një kohe të shkurtër pasi është shënuar virusi më 21 shkurt kanë filluar të gërmohen varreza.
Në artikull thuhet se gropat të cilat arrijnë në gjatësi prej 92 metra, mund të shihen edhe nga hapësira, duke shtuar se kjo gjatësi është pothuajse sa një fushë futbolli.
Sipas artikullit, duke u bazuar në opinionet e ekspertëve dhe disa deklaratave, këto varreza janë gërmuar për varrosjen e personave që kanë humbur jetën nga Covid-19 në mënyrë masive.
Disa ekspertë nga kompania Maxar Technologies me seli në SHBA, që nuk dëshiruan të zbulojnë identitetin e tyre, në deklaratën për “Washington Post”, pohuan se mund të jenë gëlqeruar personat e vdekur për shkak të virusit, pasi në zonë ka pasur grumbuj gëlqereje.
Gjithashtu janë publikuar edhe pamjet të cilat redaksia në gjuhën persiane e BBC i ka publikuar më 3 mars, në lidhje me momentin e varrosjes së njerëzve që kanë vdekur nga virusi.