Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, në një konferencë për media ka informuar për rastin e katërt të konfirmuar të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
“Mbrëmë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive është diagnostifikuar edhe një rast i pacientes që ishte pozitive në koronavirus. Ajo, sot paradite, në këto momente, hospitalizohet në Klinikën e Sëmundjeve Infektive”, tha ministri Filipçe, duke shtuar se gjendja e saj është stabile dhe ka pasqyrë të lehtë klinike.
Ministri me “dëshpërim të madh” theksoi se bëhet fjalë për mjeke, drejtoreshë e Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës, e cila para një jave kishte udhëtuar nga Italia dhe nuk kishte respektuar rekomandimin për vetizolim dyjavor.
“Më duhet të them se me dëshpërim të madh, në konteks të mosrespektimit të rekomandimeve dhe apeleve për vetizolimin e detyrueshëm pas çdo udhëtimi në rajonet e rrezikshme, ju informoj se pacientja praktikisht është kolege e jona, mjeke, e cila para një jave ka udhëtuar nga Italia. Ajo mjeke është drejtoreshë e Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës dhe praktikisht pasi është kthyer në vend, në pesë ditët e kaluara të punës ka shkuar rregullisht në punë”, theksoi Filipçe.
Duke pasur parasysh këtë fakt, ministri Filipçe tha se me vëmendje tejet të lartë u qasen masave paraprake në Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës, duke shtuar se në këtë moment ekipe të Institutit të Shëndetit Publik bëjnë vlerësimin e nivelit të rrezikut për të gjithë personat që kanë kontaktuar me të, duke përfshirë pacientët, të punësuarit, familjarët dhe miqtë me të cilat ka kontaktuar pacientja.
Ai theksoi se varësisht nga vendimi i epodemiologëve, reparti mund të mbyllet plotësisht. Filipçe gjithashtu informoi se mjekja nuk ka qenë kujdestare në ambulantën e klinikës, andaj nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me pacientë që nuk janë hospitalizuar në klinikë.
Filipçe gjithashtu tha se kompania ajrore “Wizz Air” ka suspenduar fluturimet në rajonet e rrezikshme të Italisë veriore, ndërsa përsërit thirrjen që me shumë seriozitet të zbatohet periudha dyjavore e vetizolimit.
Rasti i parë i konfirmuar i koronavirusit në Maqedoninë e Veriut ishte 26 shkurt. Në lidhje me këtë, ministri Filipçe informoi se gjendja shëndetësore e pacientes së parë është stabilizuar plotësisht, duke shtuar se sot apo nesër do t’i bëhen testi kontrollues pas çka do të vendoset nëse ajo do të lëshohet nga spitali.
Të premten u konfirmuan edhe dy raste të reja të koronavirusit, ku bëhet fjalë për dy bashkëshortë nga Dibra, të moshës 62 dhe 68 vjeçare, të cilët gjithashtu kishin qëndruar në Italinë veriore.
I zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor, virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), numri i përgjithshëm i vdekjeve është rreth 3.800 me mbi 110.000 raste të konfirmuara.
OBSH, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.