Presidenti Ilir Meta u është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se ata që i dalin kundër paketës Anti-KÇK-së, janë në mbrojtje të kriminelëve. Gjatë konferencës që mbajti me homologun nga Bullgaria, Rumen Radev, i pyetur për këto deklarata, Meta tha se nuk preferon t’u përgjigjet këtyre deklaratave.
Gazetarja: Përshëndetje, Marsela Karapanço nga A2CNN! Zoti President vetëm pak minuta më parë kryeministri Edi Rama ka lëshuar një luë akuzash dhe në fakt ju ka rreshtuar krah bandave dhe që mbroni kriminelët. Keni njdonjë përgjigje për kryeministrin?
Presidenti Ilir Meta: Nuk do të dëshiroja që sot të shprehesha për çështje të brendshme, aq më tepër të merresha me një zonjë të nderuar si gruaja e Bilalit. Ajo që është e rëndësishme është që presidenti i Bullgarisë është këtu për të na dhënë mesazhe pozitive në mbështetje të çeljes së negociatave. Ju e dini se për fat të keq kushtet për ne kanë ardhur duke u shtuar dhe të gjitha kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe raportet botërore tregojnë qartë se kush e ka përgjegjësinë.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në seancën e mbajtur në Kuvend ku u votua akti normativ i Anti-KÇK-së, ka qenë i ashpër me presidentin Ilir Meta, për të cilin tha se po punon kundër interesit të Shqipërisë përsa i përket integrimit dhe Reformës në Drejtësi.