Edi Rama: Procesi i rindërtimit është një mundësi e re për vendin

Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit të drejtuar nga kryeministri Rama ishin të pranishëm ministra të Qeverisë së Shqipërisë, ambasadorë përfshirë edhe ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe zyrtarë të tjerë

Në mbledhjen e radhës të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se procesi i rindërtimit pas tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar është një mundësi e re për vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri Rama ishin të pranishëm ministra të Qeverisë së Shqipërisë, ambasadorë përfshirë edhe ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe zyrtarë të tjerë.

Rama gjatë fjalës së tij tha se procesi i rindërtimit është një mundësi e re për vendin që të ecë me një shpejtësi të re, sipas tij drejt një situate më të mirë ekonomike, urbane dhe sociale.

“Për ne projekti i rindërtimit nuk është thjesht një program i cili duhet të trajtojë dëmet, por një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar në të njëjtën kohë një program që duhet të jetë një model transparence, efikasiteti dhe rezultatesh të shkëlqyera për njerëzit së pari, por edhe për Shqipërinë në vetvete. Programi është një kombinim i nevojës së njerëzve për t’u kthyer nën një çati së bashku me nevojën për t’iu dhënë atyre një jetë më të mirë në komunitetet e tyre, jo vetëm shtëpi, por edhe shkolla, kopshte, shërbime dhe infrastrukturë”, tha Rama.

Ndërsa ambasadori turk u shpreh se nga dita e parë e tërmetit Turqia ka mobilizuar të gjitha burimet e saj në mënyrë që të ndihmojë vëllezërit dhe motrat shqiptare, që të mund të trajtojnë pasojat tragjike të tërmetit të fundvitit të shkuar.

“Siç e dini presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan ka marrë përsipër një angazhim dhe ka premtuar ndërtimin e 500 banesave (njësi banimi) për vëllezërit tanë shqiptarë. Ndërkohë vendimi për financimin e projektit do të nënshkruhet shumë shpejt nga presidenti ynë, brenda një jave mbase dhe më pas do të vijohet me procedurën e tenderimit, ku kjo si procedurë do të zgjasë 1-2 javë. Autoritetet tona shpresoj që mund të vijnë në Shqipëri drejt fundit të këtij muaji dhe të përfundojnë të gjitha procedurat e ndryshme burokratike dhe të fillojnë pjesën e ndërtimit nga fundi i marsit”, theksoi Yörük.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë u shpreh se ashtu si vendet e tjera Turqia e ka bërë të ditur kontributin e saj në konferencën e donatorëve në Bruksel.

“Ne kemi pasur disa tërmete tragjike njëri pas tjetrit në Turqi dhe shumë njerëz kanë humbur jetën, kemi dhe dëmtime të mëdha materiale. Si rezultat i zhvillimeve të fundit, zhvillimeve të pakëndshme në Siri, sulmet e regjimit, vrasja e njerëzve dhe detyrimi i civileve të largohen drejt kufirit turk, të gjitha këto janë lëvizje të padëshiruara dhe ndoshta ato kanë pasur ndikimin e tyre për të na vonuar paksa specifikisht sa i takon realizimit të kontributit tonë”, tha Yörük.

Ambasadori turk u shpreh më tej se “Ne jemi informuar nga autoritete tona se memorandumi i mirëkuptimin për fillimin e projektit të ndërtimit është gati nga ana jonë, është gati për nënshkrim dhe do të informojmë qeverinë tuaj përmes kanaleve zyrtare për nënshkrimin e tij”.

Kujtojmë se gjatë muajt janar është nënshkruar protokolli në lidhje me ndërtimin e 500 njësive të banimit, projekt të cilin Turqia do ta realizojë me udhëzim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Pas tërmetit, ekipet e institucioneve të ndryshme nga Turqia mbërritën në Shqipëri për ndarjen e ndihmave dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar me magnitudë 6,3 ballë në Shqipëri, shkaktoi 51 viktima, plagosi 900 të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz. Në total prej kësaj katastrofe natyrore u prekën 202.291 persona.