Drejtori i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetit në Tiranë, Raul Gonzales, në mbledhjen e sotme të Task-Forcës ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka asnjë person të infektuar me koronavirus. Ai theksoi se specialistët po përpiqen të kuptojmë pse Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur nga ky virus.
“Unë ju kërkoj të keni besim tek institucionet dhe ekspertët e certifikuar ndërkombëtarisht. Në Spanjë para dy javësh kemi hasur raste me koronavirus. Ne po përpiqemi të mësojmë pse nuk ka asnjë rast në Shqipëri. Personat e prekur në vendin tim nuk kishin udhëtuar jashtë vendit dhe nuk kishin pasur kontakte me persona të prekur. Një pikë tjetër është edhe informimi. Element kyc është informimi dhe duhet të shmangim keqinformimin. Nuk duhet të shpërndajmë lajme të rreme sepse i bëjnë keq shëndetit dhe ekonomisë së vendit“, tha ai, raporton Dosja.al.
Në mbledhjen e sotme të Task-Forcës, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se në Shqipëri janë testuar 42 raste, por kanë rezultuar negative.
Në rang global koronavirusi vijon të marrë jetë. Deri më tani janë regjistruar 3200 viktima dhe afro 93.129 njerëz janë infektuar nga koronavirusi në botë. Italia e quajtur ndryshe edhe si vatra e koronavirusit në Europë, ka shënuar 79 viktima dhe mbi 2.200 mijë të infektuar, por në 24 orët e fundit ka shënuar një ulje të rasteve të reja nga virusi. Greqia ka mbyllur 28 shkolla për të shmangur koronavirusin, në Kinë sëfundmi ka vdekur edhe një mjek, ndërsa rastet po shtohen shumë edhe në SHBA, ku Trump po merr masa të forta. Shqipëria nuk e ka pasur ende rastin e parë të infektuar.