Arabia Saudite ndalon udhëtimin drejt Qabes, shkak koronavirusi

Vendimi ndalon të huajt të vizitojnë Mekën dhe Qaben, vendi i shenjtë i vizituar nga miliona myslimanë gjatë gjithë vitit dhe sidomos në periudhën e Haxhit.

Arabia Saudite ka ndaluar udhëtimin në vendin më të rëndësishëm për besimtarët myslimanë, vetëm disa muaj para pelegrinazhit të përvitshëm të Haxhit.

Kjo masa është ndërrmarrë për ndalimin e përhapjes së koronavirusit, i cili ka prekur deri më tani shumë vende të botës

Vendimi ndalon të huajt të vizitojnë Mekën dhe Qaben, vendi i shenjtë i vizituar nga miliona myslimanë gjatë gjithë vitit dhe sidomos në periudhën e Haxhit, transmeton ABC News.

Arabia Saudite ka marrë masën pasi fqinjët e saj po merren me rastet e tyre të koronavirusit. Bahreini konfirmoi 33 raste që nga e enjtja në mëngjes, ndërsa presidenti i Iranit këmbënguli se nuk kishte plane të menjëhershme për të karantinuar qytetet pasi autoritetet po përpiqen të marrin masa për ndalimin e përhapjes së virusit, nga i cili kanë humbur jetën 19 persona. Ka raste të konfirmuara edhe në Oman, Irak, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

COVID-19 vazhdon të përhapet në të gjithë globin, rasti i parë u shënua edhe Amerikën Latine ditën e mërkurë.

Italia, e cila po shihet si burim transmetimi të virusit në Europë, vazhdon të shënojë rritje të të prekurve, me më shumë se 450 raste të konfirmuara.

Të mërkurën shteteve të prekura iu bashkuan edhe Greqia, Norvegjia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat konfirmuan rastet e tyre të para të prekura brenda kufijve.