Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier dënoi sulmin dhe bëri thirrje për solidaritet me të gjithë njerëzit kërcënohen nga racistët, raporton Anadolu Agency (AA).
“U tmerrova kur dëgjova për aktin terrorist të dhunës në Hanau”, tha ai në një deklaratë të shkruar sot duke shprehur pikëllimin dhe keqardhje për viktimat.
“Unë jam me të gjithë ata që kërcënohen nga urrejtja raciste. Ata nuk janë vetëm”, theksoi ai. “Jam i bindur se shumica e njerëzve që jetojnë në Gjermani dënojnë këto akte dhe çdo lloj racizmi, urrejtjeje dhe dhune”, tha Steinmeier.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel anuloi takimet e saj të planifikuara për sot në vazhdën e sulmit.
Hanau ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të Frankfurtit dhe ka një popullsi prej afro 100 mijë banorëve, përfshirë më shumë se 15 mijë me prejardhje të huaj.
Sulmi ksenofobik që la të vrarë 9 persona në Hanau të perëndim të Gjermanisë, po trajtohet zyrtarisht si “akt terrorist”, thanë sot autoritetet shtetërore.
Hetimet fillestare të policisë treguan se autori i vrasjes ka vepruar me “motive ksenofobike”, tha para gazetarëve ministri i Brendshëm i Hesse-s, Peter Beuth, shteti ku ndodhi sulmi.
“Në mesin e viktimave ishin 5 shtetas turq”, u tha gazetarëve Ali Kemal Aydin, ambasadori i Turqisë në Gjermani.
Tobias R., 43 vjeç, i dyshuari si pjesëtar i të djathtës ekstreme që shënjestroi migrantët në dy kafene në Hanau, afër Frankfurtit, u gjet i vdekur bashkë me një person tjetër në një apartament pas një operacioni të njësisë speciale gjermane.