Disa orë pasi fati mbi armëpushimin në Libi u vë në dyshim meqë njëra palë u largua nga marrëveshja, ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, deklaroi se vendi i tij e bëri pjesën e saj për të promovuar armëpushimin dhe paqen në Libi nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Turqia e bëri dhe do ta bëjë pjesën e saj për armëpushim dhe paqe në Libi nën udhëheqjen e presidentit tonë. Por, në kontekstin aktual është e qartë se kush dëshiron paqe ose luftë, kush dëshiron ose nuk dëshiron të krijojë unitet në Libi”, u tha Çavuşoğlu gazetarëve në Ankara.
Pas bisedimeve të mbrëmjes së kaluar në Moskë, kreu i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë (GNA), Fayez al-Sarraj, nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit, por Khalifa Haftar, komandanti me qendër në lindje të Libisë u largua për në Libi pa e nënshkruar atë, pasi kërkoi kohë deri në mëngjesin e sotëm.
Më 12 janar, palët ndërluftuese të konfliktit libian njoftuan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit Erdoğan dhe atij rus, Vladimir Putin, ndërsa të hënën palët u tubuan në Moskë për të nënshkruar një marrëveshje armëpushimi për t’u dhënë fund armiqësive dhe për të filluar një dialog politik.
Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në lindje të Libisë e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.