Hapat e fundit të Turqisë shkatërruan plotësisht komplotet për të përjashtuar vendin nga Mesdheu Lindor, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Projekti për të përjashtuar Turqinë nga Mesdheu u prish me hapat e fundit që kemi ndërmarrë”, tha Erdoğan në mesazhin e tij të fundvitit.
“Me mbështetjen për qeverinë legjitime të Tripolit, Turqia do të sigurojë zbatimin e të gjitha elementeve të marrëveshjeve me Libinë”, shtoi Erdoğan.
Presidenca e Turqisë të hënën paraqiti një mocion në Zyrën e Kryetarit të Parlamentit për dërgimin e trupave në Libi. Parlamenti pritet të debatojë për mocionin të enjten.
Më 27 nëntor, Ankaraja dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e Libisë e njohur nga OKB-ja nënshkruan dy pakte të ndara: një mbi bashkëpunimin ushtarak dhe tjetri për kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO çoi në rrëzimin dhe vdekjen e Muammar Gaddafit pas më shumë se katër dekadave në pushtet.
Që atëherë, ndarjet e ashpra politike në Libi kanë rezultuar me shfaqjen e dy qendrave rivale të pushtetit, një në Tobruk dhe një tjetër në Tripoli, si dhe një sërë grupesh të armatosura.