Gjykata e Rrethit të Beratit, vendosi sot të quajë të ligjshëm arrestimin e Admir Duro dhe vendosi ndaj tij masën e “arrestit me burg”.
42-vjeçari akuzohet tashmë për: veprat penale, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Dhuna në familje”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Ngjarja për të cilën akuzohet Duro ndodhi tre ditë më parë në lagjen “30 Vjetori”, ku 42-vjeçari mbajti peng për orë të tera djalin e tij, 17-vjeçar nga frika mos e braktiste.
Më pas, ai hipi në soletën e pallatit ku për më shumë se tre orë kundërshtoi me forcë punonjësit e policisë, hodhi tjegulla në drejtim të tyre, duke lënduar dy uniforma blu. Pas arrestimit ai qëndroi në spitalin e Beratit dhe u përball sot me gjykatën, në seancën e parë në ngarkim të tij.