Turqia: Gjykata saudite nuk arrin t’i përmbush pritjet në rastin Khashoggi

"Vendimi është shumë larg nga përmbushjet e pritjeve të vendit tonë dhe të komunitetit ndërkombëtar për të zbardhur të gjitha aspektet e kësaj vrasjeje dhe për manifestimin e drejtësisë", tha Aksoy

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë tha se vendimi i gjykatës saudite për rastin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi është shumë larg pritjeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vendimi është shumë larg nga përmbushjet e pritjeve të vendit tonë dhe të komunitetit ndërkombëtar për të zbardhur të gjitha aspektet e kësaj vrasjeje dhe për manifestimin e drejtësisë”, tha në një deklaratë me shkrim Hami Aksoy, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Aksoy përsëriti pritjet e Turqisë për bashkëpunim gjyqësor me autoritetet saudite.

Një gjykatë saudite sot dënoi me vdekje 5 persona për përfshirje në vrasjen e gazetarit Khashoggi.

Duke folur në një konferencë për media në Rijad, zëdhënësi i kryeprokurorisë saudite, Shalaan al-Shalaan, tha se 11 persona akuzoheshin për lidhje me vrasjen e Khashoggit, prej të cilëve tre persona po ashtu u dënuan me gjithsej 24 vite burg për rolin e tyre në mbulimin e krimit dhe shkeljen e ligjit.

Al-Shalaan po ashtu tha se tre të dyshuar të tjerë u shpallën të pafajshëm ndërsa për këshilltarin mbretëror, Saud al-Qahtani, tha se ai është hetuar dhe nuk është akuzuar për vrasjen.

Për ish-konsullin e përgjithshëm në Stamboll, Mohamed al-Oteibi, zëdhënësi i kryeprokurorisë tha se ai nuk u akuzua dhe u la i lirë sepse “nuk ishte në konsullatë në kohën e vrasjes”.

Për ish-shefin e inteligjencës saudite, Ahmed Assiri, siç tha al-Shalaan, ai ishte hetuar dhe nuk është gjetur prova që e përfshinin atë në vrasje. Ai shtoi se Prokuroria Publike po ashtu nuk ngriti akuza kundër 10 personave të tjerë të cilët i liroi për shkak të provave të pamjaftueshme.

Khashoggi, një kolumnist i “The Washington Post” dhe banor i SHBA-ve, u vra pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit 2018, në një vizitë për të marrë një dokument për martesën e tij.

Pas 18 ditëve të mohimit të vrasjes nga Rijadi, autoritetet saudite thanë se ai ishte vrarë në një zënkë që shpërtheu midis tij dhe 18 sauditëve dhe i arrestuan ata për hetime pa dhënë detaje të tjera mbi vrasjen ose vendndodhjen e trupit të Khashoggit.

Raportuesja e posaçme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnes Callamard, në një raport konstatoi se vrasja e Khashoggit ishte “ekzekutim i qëllimshëm dhe me paramendim”. Ajo inkurajoi një hetim ndaj Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.

Megjithatë, zyrtarët sauditë kanë këmbëngulur se princi saudit nuk ishte i përfshirë në vrasje.