Erdoğan: Kam udhëzuar ndërtimin e 500 njësive banimi në Shqipëri

"Kam udhëzuar ministrin tonë të Mjedisit dhe Urbanizmit për të ndërtuar 500 njësi banimi në Shqipëri dhe shpresojmë se këto do t'i ndërtojmë sa më shpejtë të jetë e mundur", tha presidenti Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “Është detyra jonë kryesore të shqetësohemi për problemet e vëllezërve tanë kudo që janë në botë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan gjatë një fjalimi në Konferencën e Nivelit të Lartë për investime publike dhe private të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) i cili u zhvillua në Qendrën e Kongreseve në Stamboll bëri thirrje për mbështetje në ndihmë të Shqipërisë e cila më 26 nëntor u godit nga një tërmet 6.4 ballë të shkallës Rihter ku humbën jetën 51 persona dhe mbi 1.000 të tjerë u plagosën.

“Muslimanët janë si pjesët e trupit, kur një pjesë e tij dhemb atë e ndiejnë edhe pjesët e tjera. Për këtë arsye është detyra jonë kryesore të shqetësohemi për problemet e vëllezërve tanë kudo që janë në botë. Nuk i shkon një muslimani të tregohet i pandjeshëm ndaj problemeve të vëllezërve të tij. Ashtu sikurse e tha edhe më parë i nderuar kyreministri Edi Rama që më 26 nëtntor në Shqipëri ndodhi një tërmet 6.4 ballë të shkallës Rihter ku humbën jetën 51 qytetarë dhe u plagosën mbi 1.000 të tjerë”, theksoi Erdoğan.

Ai vazhdoi më tej ku tha se shpreh ngushëllimet për popullin shqiptar për familjet shqiptare që kanë humbur të afërmit e tyre dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit në këtë fatkeqësi.

“Që nga dita kur ndodhi tërmeti kam qenë në kontakte të vazhdueshme me kryeministrin Edi Rama. Kemi filluar punimet në terren duke dërguar vazhdimisht ekipet tona të AFAD, Gjysmëhënës Turke, ekipet shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve tjera të ndryshme të shoqërisë civile”, tha Erdoğan duke shtuar:

“Gjithashtu kam udhëzuar ministrin tonë të Mjedisit dhe Urbanizmit për të ndërtuar 500 njësi banimi në Shqipëri dhe shpresojmë se këto do t’i ndërtojmë sa më shpejtë të jetë e mundur”.

“Nga këtu dua të theksoj diçka, këtu ndodhemi rreth 50 vende që nëse bashkohemi dhe të ofrojmë kontributin tonë, pak apo shumë nuk ka rëndësi, unë besoj se e rimëkëmbin Shqipërinë. Ne kemi një shprehje se ‘goja nuk ëmbëlsohet duke thënë mjaltë-mjaltë, por duhet të provohet‘. Edhe ne nuk duhet të mbesim vetëm në urime, por duhet ta provojmë këtë”, tha presidenti turk.

Pasi vuri theksin se këtu Banka Islamike duhet të hedhë hapin më të rëndësishëm, Erdoğan tha se “Ne si Turqi e kemi hedhur një hap dhe sigurisht që nuk e shohim të mjaftueshëm por se do të vazhdojmë edhe më tej. Por, në të njëjtën kohë presim që edhe të tjerët të ndërmarrin hapa të tillë”.

“Ne kemi përjetuar shumë tërmete dhe këtë dhimbje e kuptojmë dhe e dimë shumë mirë. Për këtë arsye kërkojmë njerëz që të ofrojnë ndihmë, qoftë edhe për vendosjen e një tulle të vetme. Tërmeti është një prej fatkeqësive më të mëdha që mund t’i ndodhë njeriut. Është një detyrë njërëzore për ne që të qëndrojmë pranë popullit shqiptar”, tha Erdoğan

Në përfundim të fjalës të tij, Erdoğan bëri thirrjen që “Nga ju kërkoj që të ofroni mbështetje me të gjitha mundësitë që keni për të shëruar plagët e Shqipërisë vëllazërore”.

Në sallë ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili më parë zhvilloi një takim dypalësh me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan me dyer të mbyllura për mediat për rreth 1.5 orë në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll.

Kujtojmë se tërmeti me magnitudë 6.3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe mbi 1.000 të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.