Prokuroria: Mos shembni asnjë objekt pa na njoftuar

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar bashkisë që të mos shembet asnjë objekt i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit pa u njoftuar paraprakisht, me qëllim që gjatë këtij procesi të asistojë grupi hetimor.

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar bashkisë që të mos shembet asnjë objekt i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit pa u njoftuar paraprakisht, me qëllim që gjatë këtij procesi të asistojë grupi hetimor.

Në të njëjtën kohë, prokuroria i kërkon Bashkisë dhe Policisë listën e objekteve të dëmtuara. Përmes një shkrese të dytë, akuza njofton se megjithëse procedimi penal është regjistruar prej 27 nëntorit, akoma nuk ka siguruar dokumentet zyrtare mbi të cilat do të mbështetet një pjesë e hetimit.

Referuar njoftimit zyrtar, Bashkia dhe policia duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor të ndërtesave apo banesave tek të cilat kanë konstatuar dëmtime nga tërmeti  brenda datës 5 dhjetor.

Por nga Durrësi, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj siguroi se askush nuk do të vërë dorë mbi një pallat pa u marrë më parë të gjithë provat e nevojshme për hetimin, ndërsa shtoi se ajo që nuk do të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt që ka lidhje me pasojat e tërmetit, raporton EuroNews.

“Askush nuk vë gishtin mbi një pallat pa u marrë të gjitha provat, aktualisht jemi përqendruar vetëm tek banesat kolektive, më pas do vijojmë edhe me ato private, por banesat kolektive janë prioritet absolut i momentit”, – tha Lleshaj.

Ndërkohë sot, një ndërtesë 6-katëshe e cila ishte dëmtuar shumë nga tërmeti i 26 nëntorit, është shembur me shpërthim të kontrolluar nga forcat xheniere.

Ndërtesa që funksiononte si hotel ndodhej në zonën e Plazhit dhe shembja e saj u bë pasi u evakuuan banorët dhe u vendos perimetri i sigurisë për të shmangur çdo fatalitet. Shpërthimi shkaktoi dëme të vogla materiale në ndërtesat pranë.