Ilir Meta: Të sigurojmë mbështetje ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të tërmetit

Presidenti Meta: “Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm.”

Nën drejtim e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që kishte në fokus situatën e emergjencës pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Meta, në një reagim në rrjetet sociale pas përfundimit të mbledhjes së realizuar pa praninë e medias, shkruan: “Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm.”

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës”, ka shkruar Meta.

Në këtë takim ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, drejtues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, drejtues të Policisë së Shqipërisë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Ndërkohë, në Qarkun Durrës për shkak të tërmetit mësimi është pezulluar deri më datë 9 dhjetor, ndërsa në Qarkun Tiranë dhe Qarkun Lezhë mësimi do jetë i pezulluar deri më datë 5 dhjetor në institucionet e arsimit parauniversitar. Në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës është vendosur pezullimi i procesit mësimor deri më 6 dhjetor.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor shkaktoi vdekjen e 51 personave dhe qindra të plagosur, ndërsa shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, shkolla, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.