Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se synojnë që deri në mesin e dhjetorit t’i strehojnë në shtëpi familjet e prekura nga tërmeti 6,4 ballësh që goditi vendin e tij më 26 nëntor.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) dhe Radio Televizionin e Turqisë (TRT) mbi aktivitetet e ardhshme pas tërmetit që mori jetën e dhjetra personave, kryeministri Rama tha sapo kanë filluar të bisedojnë për hapat e ardhshme dhe se tani është koha që të kujdesen për familjet e prekura.
“Ne duam t’i vendosim ata në shtëpi më së voni deri në mes të dhjetorit. Por, natyrisht është larg nga e mjaftueshmja pasi që janë mijëra e mijëra familje që duhet t’u ndërtohen shtëpitë ose të sigurohen se ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama përshëndeti ekipet e huaja të shpëtimit të cilët ndihmuan në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit për të mbijetuarit nën rrënoja.
“Që t’i shpërblejë këto veprime, nuk ka asnjë koment që unë mund të them për këta djem, vajza, burra e gra të cilët erdhën të ndihmojnë Shqipërinë në këtë moment tepër të errët. Ata ishin engjëjt tanë mbrojtës që erdhën nga qielli. Këto ditë kam parë gjëra të mrekullueshme dhe njëra nga më të paharrueshmet është trimëria dhe gatishmëria e këtyre njerëzve me uniformë, që hodhën jetën e tyre në një vend të huaj”, tha Rama.
Më tej, Rama bëri të ditur se tërmeti i fuqishëm ka shkaktuar dëme të mëdha në prona dhe dëme materiale, por theksoi se “kemi miq të rinj, kjo është me të vërtetë e mrekullueshme”.
Kryeministri shqiptar po ashtu theksoi se me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, vazhdimisht ka kontaktuar në telefon dhe ka informuar për aktivitetet në terren, pasi që, siç thotë, ai beson tek presidenti Erdoğan dhe ndihma e tij nuk është një “surprizë”.
“Nuk është suprizë për mua, e dija që ai do ta bëjë më të mirën. Ai është një burrë që kur thotë ‘po’ është ‘po’ dhe kur thotë ‘jo’ është ‘jo’… ju pëlqen ose nuk ju pëlqen, po është po dhe jo është jo”, u shpreh kryeministri Rama.
Më 26 nëntor, Shqipëria u godit me një tërmet me magnitudë 6,3 ballë dhe përveç 51 viktimave dhe qindra të plagosurve, shkaktoi edhe dëme të mëdha konsiderueshme materiale.
Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.
Presidenti Erdoğan dje paralajmëroi se pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë, vendi i tij “si vëllezër turq do të ndërtojë 500 njësi të banimit në Shqipëri”.