Mes dhimbjes Shqipëria shënon 75-vjetorin e Çlirimit

Me rastin e Ditës së Çlirimit, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi morën pjesë në ceremoninë zyrtare të homazheve në "Varrezat e Dëshmorëve" në Tiranë

Në Shqipëri 75-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë shënohet mes dhimbjes dhe lotëve prej pasojave tragjike nga tërmeti i 26 nëntorit, që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e Ditës së Çlirimit, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe zyrtarë të tjerë morën pjesë në ceremoninë zyrtare të homazheve në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë, duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të vendit.

Mes dhimbjes Shqipëria shënon 75-vjetorin e Çlirimit

Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, në një prononcim për mediat pas homazheve presidenti Meta tha se do të dëshironin ta festonim me të gjithë madhështinë që i takon këtij 75-vjetori, “por kjo fatkeqësi e jashtëzakonshme me të cilën u përball vendi ynë na ka vendosur para një sprove që duhet ta kalojmë të bashkuar”.

“Shpreh sot mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut, që kurorëzuan 75 vite më parë një nga betejat më të mëdha të popullit shqiptar kundër pushtimit nazi-fashist, që rivendosi sovranitetin e vendit, riktheu pavarësinë e Shqipërisë. Por njëkohësisht edhe e vendosi popullin dhe vendin tonë në anën e duhur të historisë dhe të antifashizmit me mjaft sukses”, është shprehur Meta.

Dita e Çlirimit në Shqipëri shënohet si festë zyrtare. Disa ceremoni dhe pritje zyrtare të institucioneve që ishin planifikuar për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë, si dhe për Ditën e Çlirimit janë anuluar për shkak të tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor, që shkaktoi sipas informacioneve paraprake nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë 48 persona të vdekur dhe qindra të plagosur.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte pjesëtare e Koalicionit Antifashist Botëror, ndërsa sipas institucioneve të vendit, si datë e çlirimit është 29 nëntori i vitit 1944.