SHBA, Michael Bloomberg hyn zyrtarisht në garën presidenciale 2020

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Michael Bloomberg, njoftoi zyrtarisht hyrjen e tij në garën presidenciale amerikane 2020 nga radhët e Partisë Demokratike.

“Unë po kandidoj për president për të mposhtur Donald Trumpin dhe rindërtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Bloomberg përmes një komunikate të shkruar, ku vlerësoi se vendi nuk mund t’i durojë edhe për katër vjet të tjera veprimet e pamatura dhe joetike të Presidentit Trump.

“Trumpi është një kërcënim ekzistencial kundër vendit dhe vlerave tona. Nëse ai i fiton zgjedhjet edhe për një tjetër mandat, dëmet e tij mund të jenë të parikuperueshme për ne”, theksoi miliarderi 77-vjeçar.

I konsideruar si një prej njerëzve më të kamur në botë me një pasuri që shkon deri në rreth 36 miliardë dollarë, Bloomberg ka shërbyer si kryebashkiak i Nju-Jorkut në vitet 2003-2013.

Hyrja e tij në garë vetëm 10 javë para fillimit të zgjedhjeve paraprake, reflekton shqetësimin e tij se lista aktuale e kandidatëve nuk është e pozicionuar mirë për të mposhtur Presidentin Trump.

Investimet masive të Bloombergut në çështjet me përparësi për demokratët, siç janë ndryshimet klimatike dhe kontrolli i armëve, të mbështetura nga pasuria e tij personale, mund ta bëjnë atë një kandidat të fuqishëm.

Ai ka rezervuar që tani më shumë se 30 milionë dollarë për reklama televizive nëpër disa shtete, edhe pse nuk do të marrë pjesë në 4 zgjedhjet e para paraprake.

Bloombergu e konsideron veten si demokratin e vetëm që mund ta nxjerrë presidentin republikan nga Shtëpia e Bardhë.

Përveç Bloombergut, janë edhe 17 kandidatë të tjerë nga Partia Demokratike për zgjedhjet presidenciale amerikane që do të mbahen më 3 nëntor 2020.

Sipas anketave, gara ndërmjet demokratëve udhëhiqet nga Joe Biden, ish-ndihmëspresident gjatë mandatit të Barack Obamas.

Edhe pse emri më i lakuar në radhët e demokratëve mbetet Biden, sondazhet tregojnë se senatorja Elizabeth Warren e Masaçusetit e ka mbyllur diferencën me ish-ndihmëspresidentin.

Biden dhe Warren ndiqen menjëherë nga senatori Bernie Sanders i Vermontit, i cili megjithatë është disa pikë mbrapa.