Mustafa dhe Kurti konfirmojnë formimin e koalicionit qeverisës

Kurti tha se beson që certifikimi i zgjedhjeve do të ndodhë javën e ardhshme dhe se do t’u nevojiten më pak se 100 orë për mbylljen e marrëveshjes me LDK-në

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, pas përfundimit të të cilit ka deklaruar se janë pajtuar që menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) do ta përfundojnë marrëveshjen për koalicion qeverisës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kurti tha se beson që certifikimi i zgjedhjeve do të ndodhë javën e ardhshme dhe se do t’u nevojiten më pak se 100 orë për mbylljen e marrëveshjes me LDK-në.

“Jemi marrë vesh që do të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve. Me ç’rast ftesa ime dhe përgjigja pozitive e kryetarit Mustafa është tashmë e dhënë se një orë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor, pas këtij rinumërimi të fundit, ne do të takohemi për ta kryer brenda 72 orëve apo më pak se 100 orëve marrëveshjen tonë përfundimtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, tha Kurti.

Përveç kësaj, Kurti shtoi se do të vazhdojnë takimet e grupeve punuese VV-LDK, për harmonizimin e programit qeverisës.

Ndërkaq, Mustafa nga ana e tij vlerësoi përpjekjen e grupeve punuese të dy partive, duke theksuar se janë harmonizuar shumë çështje të politikave të zhvillimit të vendit.

“U morëm vesh që posa të bëhet certifikimi i rezultateve të ulemi menjëherë bashkërisht me ekipet ose në formatin që vlerësojmë ne të merremi vesh, për mundësinë e koalicionit qeverisës dhe themelimit të qeverisë në mes dy subjekteve tona politike”, tha Mustafa.

Ai shtoi se për poste dhe ministri nuk kanë biseduar, por se kanë biseduar vetëm për atë se do të pajtohemi “në marrëveshjen për koalicion”.

VV doli e para në zgjedhjet parlamentare të parakohshme të 6 tetorit dhe Kushtetuta i jep të drejtën subjektit të parë ta formojë qeverinë. Menjëherë pas zgjedhjeve, VV dhe LDK filluan takimet në nivel kryetarësh të partive, si dhe formuan grupe punuese për t’i bashkuar idetë për qeverisjen e re.

Dje, KQZ bëri të ditur se deri më tani janë rinumëruar më shumë se 70 për qind e vendvotimeve të cilat filluan të rinumërohen më 13 nëntor, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).