Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka njoftuar se Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka marrë vendim për hapjen e misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev, Ukrainë. “Mision i posaçëm” është përfaqësimi diplomatik i përkohshëm i Republikës së Shqipërisë në një shtet tjetër apo për të trajtuar një çështje specifike.
Në një postim në Facebook, Cakaj shkruan se qëllimi i këtij projektvendimi është përmbushja e një ndër prioriteteve kryesore të Kryesisë shqiptare të radhës së OSBE-së, që ka të bëjë me situatën në, dhe përreth Ukrainës, krahas konflikteve të tjera të zgjatura të cilat janë fokus të kësaj organizate.
Ky vendim sipas Cakaj është shprehje e përkushtimit të Shqipërisë për të qëndruar në lartësinë e detyrës përgjatë Kryesisë së OSBE-së 2020. “Shqipëria si vend kryesues i OSBE-së e ka me rëndësi madhore të përcjellë, së pari, tek pala ukrainase mesazhin e rëndësisë dhe vëmendjen që i jep adresimit me qëllim zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, dhe së dyti, tek 56 shtetet anëtare të OSBE-së”, shkruan Cakaj në postimin e tij. /A2News