PD: Rama po mbron Kajmakun

“Kryebashkiaku i Vorës duhet të ishte në burg”

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se po mbron Kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Sipas demokratëve, ai jo vetëm që duhet të largohet nga detyra, por duhet t’i nënshtrohet edhe hetimeve për falsifikim të formularit të Dekriminalizimit.

Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar zyrtarisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit. Në dokumentin 7 faqesh të hartuar nga Prokurori Arben Kraja, Kryebashkiaku u Vorës rezulton të jetë i njëjti person me Jorgo Toton, i arrestuar në Greqi për falsifikim parash dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar deri në Shtator të 2019-s nga autoritetet fqinje.

Pas publikimit të përgjigjes së Prokurorisë nga ana e Partisë Demokratike, Kajmaku deklaroi se nuk ka qenë në dijeni të faktit se ndaj tij kishte nisur një hetim nga autoritetet greke, pasi procesi ishte zhvilluar në mungesë. Kjo ishte dhe arsyeja që ai nuk e kishte shënuar këtë fakt në formularin e Dekriminalizimit.