Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) foli në pritjen solemnte në Qendrën e Kongreseve dhe të Kulturës “Millet” në Bestepe, ku ndodhet kompleksi presidencial, organizuar me rastin e 29 Tetorit, Festa e Shpalljes së Republikës së Turqisë.
Duke folur për luftën që po bën Turqia kundër elementëve terroristë në veri të Sirisë, Erdoani tha: “Turqia e ka treguar se ajo mund të bëjë atë që dëshiron me aftësitë e veta dhe pa marrë pëlqimin e ndokujt kur bëhet fjalë për sigurinë e saj kombëtare dhe përgjegjësitë historike që ka”.
“Falë qëndrimit këmbëngulës dhe të vendosur të popullit tonë organizatat terroriste nuk arritën të kenë sukses pavarësisht mbështetjes kolosale që kanë pasur”,- theksoi Presidenti Erdoan.
“Turqia është vendi i vetëm që nuk e shikon Sirinë si një mundësi për të grumbulluar naftë dhe fuqi, por e konsideron atë vetëm si njeri, shpirt, vëlla. Kurse vendet perëndimore kanë shfaqur një sjellje hipokrite në lidhje me terrorizmin”,- nënvizoi Erdoan në fjalën e tij.
Duke iu referuar marrëveshjes së arritur me Rusinë në lidhje me zonën e sigurt Erdoani bëri këtë deklaratë: “Rusia i ka informuar autoritetet tona përkatëse se organizatat terroriste janë nxjerrë plotësisht jashtë kësaj zone. Kështu kanë mbaruar afatet kohore 120 dhe 150-orëshe në bazë të marrëveshjeve që kishim bërë nga njëra anë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe nga ana tjetër me Rusinë. Bisedimet do të vazhdojnë edhe nesër”.