Kryetarja e bashkisë Sanxhaktepe (Sancaktepe) të Stambollit, Shejma Dëyxhy (Şeyma Döğücü) u sulmua nga përkrahësit e organizatës separatiste terroriste PKK në kryeqytetin Londër të Anglisë.
Në deklaratën e saj Shejma Dëyxhy tha se ajo u gjend rastësisht në protestat e përkrahësve të organizatës separatiste terroriste PKK në Londër, ku ndodhej për pjesëmarrje në mbledhjen e Unionit Ndërkombëtar të Bashkive në Londër.
Duke vënë në dukje që përkrahësit e PKK-së në duar mbanin pankarta me mbishkrime kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe me akuza që Turqia po vret civilët, kryetarja Doyxhy tha: “Ne nuk mund dhe nuk qëndruam indiferent ndaj gënjeshtrave, shpifjeve dhe fyerjeve. Unë reagova duke thënë ‘po gënjeni’. Ata na sulmuan me shkopinjë të flamujve dhe grushta. Me ne ishin vetëm dy policë, por ata ishin të pamjaftueshëm”.
Dëyxhy më tej shtoi se ajo u largua nga vendi i ngjarjes me ndërhyrjen e bashkëshortit të saj dhe këshilltarit, raporton TRT.
“Pa marrë parasysh nën çfarë kushtesh, ne do të vazhdojmë t’i shpjegojmë botës të vërtetën nën udhëheqjen e Presidentit tonë duke qëndruar drejt, përballë padrejtësive ndaj vendit tonë, kombit tonë dhe Presidentit tonë”, tha Dëyxhy.
Pas fillimit të Operacionit “Burimi i Paqes” për të shkatërruar korridorin terrorist, përpjekjet për formimin e të cilit bëheshin në kufirin jugor të Turqisë dhe për të sjellë paqe dhe qetësi në rajon, përkrahësit e PKK-së po organizojnë protesta në qytete të ndryshme të Evropës.
Pavarësisht se PKK-ja është në listën e organizatave terroriste në Evropë, vendet evropiane i lejojnë mbështetësit e kësaj organizate të organizojnë protesta me paçavure që simbolizojnë organizatën terroriste.