Turqia shkëmbeu informacione dhe u koordinua me SHBA-në para operacionit amerikan për vrasjen e liderit të organizatës terroriste DEASH në Sirinë veriperëndimore, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Para operacionit të mbrëmshëm të SHBA-së në Idlib, kishte këmbim informacionesh dhe koordinim mes autoriteteve ushtarake”, tha ministria në një deklaratë.
Ndryshe, revista amerikane “Newsweek” raportoi se udhëheqësi i grupit terrorist DEASH, Abu Bakr al-Baghdadi, vendndodhja e të cilit për një kohë të gjatë ka qenë e panjohur, është vrarë në një operacion të SHBA-së në Idlib të Sirisë.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, duke iu referuar operacionit, postoi në Twitter se “Diçka shumë e madhe sapo ka ndodhur”.
“Trump e aprovoi misionin gati një javë para se të ndodhte”, thuhet në raportimin e revistës amerikane.
Një burim i Pentagonit ka thënë për “Newsweek” se Baghdadi është “i vdekur, por pritet verifikimi”.
Vendndodhja dhe statusi i Baghdadit kishim mbetur fshehtësi dhe deri më tani janë bërë pretendime të shumta se ai ishte vrarë në fushëbeteja të ndryshme në Irak dhe Siri.