Lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) të Turqisë kritikoi lëvdatat që SHBA ka shprehur për kreun e organizatës terroriste YPG/PKK të cilën Turqia e ka luftuar në operacionin e saj antiterrorist në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Është e turpshme, e paligjshme dhe poshtërsi që një vend aleat (SHBA) favorizon dhe çmon një vrasës që kërkohet me fletarrestim të kuq (të Interpolit)”, tha Bahçeli duke folur në selinë e partisë në Ankara.
Bahçeli iu referua lëvdatave të SHBA-së për Ferhat Abdi Şahin, i cili përdor emrin e koduar Mazloum Kobani, lider YPG-së, degës siriane të grupit terrorist PKK.
Në fillim të kësaj jave, senatorët amerikanë Lindsey Graham dhe Chris Van Hollen kërkuan nga Departamenti amerikan i Shtetit të mundësojë vizë për Şahin në mënyrë që të mund të vizitojë Washingtonin.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur lëvdata për Şahin në Twitter, duke thënë: “Mezi pres të të shoh”.
Ky qëndrim u kritikua nga zyrtarë të lartë turq, të cilët janë shprehur se Şahin është një terrorist i kërkuar me fletarrestim dhe se ai duhet të trajtohet në përputhje me marrëveshjet e Ankarasë me Washingtonin.
Sipas udhëzimeve të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, ministri i Drejtësisë Abdülhamit Gül të premten tha se Turqia do të kontaktojë me zyrtarët e SHBA-së në lidhje me ekstradimin e terroristit nëse shkel në territorin e SHBA-së.
Në fushatën e saj më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjës për vdekjen e 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.