Show dhe gola por Japonia dhe Senegali ndahen në paqe

Barazim argëtues mes Senegalit dhe Japonisë, gjithçka e hapur në grupin H

Gjatë gjithë ndeshjes, Japonia dhe Senegali luftuan fort që të mund të gjenin fitoren në “Ekaterinburg Arena”. Për tifozët e tyre dhe shikuesit e shumtë, kjo sfidë e dytë e Grupit H ishte mjaft interesante për t’u parë. Sfida përfundoi në barazim 2-2, një rezultat i drejtë ky, duke marrë parasysh ato çfarë të dyja përfaqësueset dhanë në fushë. Si Japonia, ashtu edhe Senegali gjenden në kuotën e4 pikëve në grup, në vend të parë dhe të dytë. Rezultat me rëndësi për të dyja skuadrat, të cilat duhet që ta zgjidhin kualifikimin në takimin e fundit.

Të 45 minutat e para të luajtura në “Ekaterinburg” ishin mjaft interesante për t’u parë. Në fushë, si Japonia, ashtu edhe Senegali luajtën me ritëm, energji dhe me dëshirë të vazhdueshme për të shënuar. Secila kombëtare realizoi nga një gol. Në fillim ishte Sadio Mane për afrikanët që realizoi golin e parë pas një devijimi edhe pak me fat në të 11’. Por në të 34’, Takashi Inui barazoi për aziatikët, pas një shpërthimi të Nagatomo-s në të majtë.

Edhe në pjesën e dytë, të dyja kombëtaret u futën në fushë më të njëjtën dëshirë dhe energji. Pas përpjekjeve të vazhdueshme, erdhi goli i dytë për senegalezët.

Moussa Wague realizoi golin e tij të parë me përfaqësuesen në të 71’ dhe i dha avantazhin të tijve.

Por japonezët nuk u demoralizuan. Përkundrazi. Në lojë u fut Keisuke Honda, i cli pas 6 minutash në lojë (78’) realizoi golin e barazimit. Një gol historik ky për lojtarin, i cili është japonezi i parë që ka shënuar në 3 Kupa të Botës. Skuadrat vazhduan të luftonin, edhe pse me ritëm më të ulët, por golin e triumfit nuk e gjeti asnjëra.