Kanali amerikan ABC tha se ndihet “i penduar” për publikimin e një videoje të një prezantimi armësh sikur ajo të jetë filmuar në operacionin antiterrorist të Turqisë “Burimi i Paqes”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kanali i lajmeve ABC shpërndau një video në të cilën shiheshin shpërthime të fuqishme të filmuara gjatë një prezantimi të armëve, duke raportuar se pamjet janë nga operacioni në veri të Sirisë.
Në një deklaratë me postë elektronike për faqen e lajmeve “Gizmodo”, zëdhënësi i kanalit tha se videoja “është hequr nga transmetimi me të lindur dyshimet për autenticitetin e saj”, dhe se ndihen “të penduar për gabimin”.
Ndryshe, ABC videon e publikoi me titullin “Kërdi në Siri”, duke shkruar se “Ushtria turke bombardon civilët kurdë në një qytezë kufitare në Siri”.
“Po vijnë lajme se luftëtarët e mbështetur nga Turqia po ushtrojnë zullum të tmerrshëm ndaj kurdëve, aleatëve të SHBA-së, që luftuan kundër DEASH-it”, u shpreh ABC në raportimin e saj.
Në fakt, videoja e publikuar në lajmin e kanalit amerikan i përket një prezantimi armësh në SHBA në vitin 2017. Siç u kuptua, para shpërndarjes së videos në edicionin e lajmeve, kanali televiziv ka hequr përmes montazhit njerëzit që kanë filmuar shpërthimet.