Edi Rama: Solidaritet i madh nga vendet mike dhe partnere pas tërmetit

Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se pas tërmetit Qeveria e Shqipërisë ka hasur një solidaritet të madh nga partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot se janë miratuar një sërë aktesh në përgjigje të nevojës për të adresuar situatën e krijuar nga tërmeti që goditi Shqipërinë më 21 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se pas tërmetit Qeveria e Shqipërisë ka hasur një solidaritet të madh nga partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë.

“Që në momentin e parë, kam pasur komunikime të drejtpërdrejta, me kryeministrin e Italisë, me presidentin e Turqisë, presidentin e Francës, kancelaren Merkel si edhe ambasadorin e Bashkimit Europian (BE) në emër të të gjitha vendeve anëtare si dhe me zëvendës ambasadoren e SHBA-ve, të cilët kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet tona”, tha Rama.

“Akti normativ i buxhetit të këtij viti garanton edhe përdorimin e fondit rezervë për përballimin e situatës emergjente. Së dyti parashikon përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për të gjitha investimet mbi banesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit”, theksoi Rama.

Sipas tij, goditja sizmike edhe pse e konsiderueshme, nuk ka dhënë impakt në godinat e reja. Duke folur për lehtësirat e miratuara për familjet e prekura nga tërmeti, kryeministri Rama theksoi se është vendosur të përshpejtohet procedura për marrjen e lejes së ndërtimit.

“Kemi vendosur të përshpejtojmë procedurat për leje ndërtimi dhe riparime të godinave që kanë pasur dëme nga tërmeti. Ka familje të cilat kanë kërkuar që t’ju lehtësohet procedura, sepse nuk dëshirojnë të ecin me projektet tip që ne kemi përgatitur për rastet kur do të na duhet të bëjmë ndërtimin nga e para të godinës. Këta familje do ta marrin lejen brenda 5 ditëve dhe pa paguar asnjë taksë”, u shpreh Rama.

Kujtojmë se Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë u goditën më 21 shtator nga një tërmet me një magnitudë 5.8 sipas shkallës Rihter, i cili u vlerësua nga autoritetet si “tërmeti më i fuqishëm në 20-30 vitet e fundit”. Epiqendra e tërmetit ishte në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit, ndërsa u lënduan dhjetëra persona dhe u dëmtuan qindra banesa.