Ahmet Arslan: Aeroporti i ri i Stambollit është markë e Turqisë

"Është një projekt i shkëlqyer dhe prestigjioz. Është projekt markë për Turqinë dhe në të njëjtën kohë projekt që do të kontribuojë në ekonominë dhe punësimin", tha Arslan

Aeroporti i ri i gjigant i Stambollit është një projekt markë e Turqisë, ndërsa do të mundësojë vende pune për 225 mijë njerëz, tha ministri turk i Transportit, Çështjeve Detare dhe Komunikimit, Ahmet Arslan, raporton Anadolu Agency (AA).

I ftuar në panelin editorial të AA-së, Arslan tërhoqi vëmendjen se Turqia tanimë është bërë qendër e aviacionit botëror.

“Është një projekt i shkëlqyer dhe prestigjioz. Është projekt markë për Turqinë dhe në të njëjtën kohë projekt që do të kontribuojë në ekonominë dhe punësimin”, tha Arslan.

Komentet e Arslan erdhën një ditë pasi avioni i presidentit Recep Tayyip Erdogan bëri uljen e parë në aeroportin e ri kolosal të Stambollit, i cili pritet të hapet zyrtarisht më 29 tetor.

“Në aeroportin e ri të Stambollit do të punojnë 225 mijë persona…Tërthorazi, do të sigurojë punë për 1,5 milionë njerëz”, theksoi ministri turk.

Duke folur rreth emrit të aeroportit të ri, Arslan tha: “Pse të mos quhet sipas Recep Tayyip Erdoganit?”.

Arslan shtoi se se emri do të vendoset nga vetë presidenti.

Aeroporti i ri i Stambollit do të jetë një nga tre aeroportet më të mëdha në botë, me kapacitet vjetor prej 90 milionë pasagjerësh në fazën e parë.

Aeroporti është i treti në qytet, ndërsa 90 për qind e tij tashmë është përfunduar.

Në fazën e dytë, e cila pritet të përfundojë në vitin 2023, parashikohet që numri i pasagjerëve të rritet në 150-250 milionë.