Turqi, gjatë therjes së kurbaneve së paku 2.500 persona të lënduar

Vetëm në Stamboll deri më tani janë lënduar 791 persona, prej të cilëve 21 u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike për shkak të lëndimeve serioze

Rreth 2.500 njerëz deri më tani në Turqi kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të shkaktuar gjatë therjes së kurbaneve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ditën e parë të Kurban Bajramit shumë ambulanca në Stamboll ishin përplot me njerëz që kanë pësuar lëndime gjatë therjes së kurbanit.

Të dhënat të cilat ka arritur të mësoj gazetari i AA tregojnë se deri më tani në Stamboll ndihmë mjekësore kanë kërkuar 791 persona. Shumica e tyre ndihmë kërkuan për shkak të lëndimeve më të lehta, megjithatë, së paku 21 persona për shkak të lëndimeve serioze u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike.

Situatë e ngjashme është edhe në qytetet tjera turke. Deri më tani ndihmë mjekësore kanë kërkuar 103 persona në Denizli, 56 në Usak, 70 në Manisa dhe 60 në Aydin.

Në Manisa kurbani arriti t’i ikte pronarit, të cilit, në përpjekje për ta kapur, kafsha ia theu 7 brinjë.

Po ashtu, lëndime gjatë therjes së kurbanit kanë pësuar ndër të tjera, dhe 598 persona në Bursa, Eskişehir, Balıkesir, Kutayhi, Canakkale, Bilecik dhe Yalova.

Gjithashtu ndihmë mjekësore kanë kërkuar 238 persona në Erzurum, Kars, Erzincan, Ağrı, Ardahan dhe Iğdır.

Në qytetet tjera lëndime kanë pësuar disa dhjetëra njerëz.

Qytetarët në disa mjedise urbane në Turqi, dëshmuan dukurinë e kurbaneve të ikur, të cilët vraponin në rrugë, kurse një prej tyre në Yozgat kishte ikur në kompleksin e spitalit.

Mjekët paraprakisht u bënë thirrje besimtarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë therjes së kurbanëve duke i këshilluar që këtë t’ua lënë në dorë ekspertëve, për t’iu shmangur mundësisë së lëndimeve.