Komisioni i çështjeve evropiane në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ka miratuar projekt-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe për partneritet strategjik, raporton Anadolu Agency (AA).
Para votimit, anëtarëve të Komisionit për çështje evropiane iu adresua ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili e arsyetoi marrëveshjen e arritur me Greqinë, pothuajse nen pas neni.
Shefi i diplomacisë maqedonase tha se këto ditë janë historike për Maqedoninë, ndërsa teksti i marrëveshjes, siç tha ai, është përgjegjësi dhe patriotizëm. Sipas tij, procedura e shkurtuar e projekt-ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së emrit është shkak i Këshillit të çështjeve të përgjithshme, që do të mbahet të martën e ardhshme në Luksenburg.
Dimitrov më tej tha se marrëveshja e arritur me Greqinë është rezultat i një kompromisi.
“Me këtë kompromis, ne dhe miqtë tanë grekë u përpoqëm të mbanin atë që është më e rëndësishme për ne gjatë gjithë këtyre muajve. Ne, nga ana jonë u përpoqëm dhe arritëm të ruajmë identitetin dhe të gjitha atributet e popullit maqedonas, ndërsa Greqia përpiqej të marrë ndryshimin, dhe arriti sukses, ndërmjet shtetit të Maqedonisë dhe rajonit të Maqedonisë në Greqi”, deklaroi Dimitrov.
Ai shtoi se të gjithë janë patriotë, siç tha ai, edhe ato që pajtohen me marrëveshjen, por edhe ato që janë kundër.
“Për një mitologji, sakrifikuam realitetin. Me atë që bëjmë sot, sakrifikojmë mitologjinë, për të fituar realitetin”, porositi Dimitrov, duke shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët e Maqedonisë nga komunitet e ndryshme etnike, për shkak të unitetit të treguar në këtë proces.
Ndërkaq, në emër të Komisionit për çështje evropiane u drejtua Artan Grubi, deputet nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe kryetar i komisionit, i cili theksoi se ajo që bëjnë sot është për një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.
“Të udhëheqësh do të thotë të bësh një zgjedhje dhe më pas të vendoset për atë zgjedhje. Nëse nuk mund të bësh zgjedhje do të thotë nuk din të udhëheqësh dhe në fund do të bësh zgjedhjen e gabuar. Ne e bëmë zgjedhjen tonë, Republika e Maqedonisë së përbashkët, sovrane, e tërë dhe euro-atlantike”, tha Grubi.
Deputetët e opozitës maqedonase, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nuk morën pjesë në debatin e sotëm dhe në përgjithësi në punën e Kuvendit. Sipas tyre, marrëveshja e arritur për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe për partneritet strategjik është jokushtetuese dhe jolegjitime.
Në seancën plenare, e cila sipas paralajmërimeve duhet të mbahet gjatë ditës së nesërme, parlamenti do të ratifikojë marrëveshjen, pas së cilës do të njoftohet Greqia e cila do të duhet ta informojë Këshillin dhe Bashkimin Evropian.
Protesta kundër marrëveshjes maqedono-greke
Gjatë kohës së mbajtjes së debatit për miratimin e marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin, një grup qytetarësh të tubuar para ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë protestuan për të penguar miratimin e marrëveshjes që ndryshon emrin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Protestuesit e tubuar para ndërtesës së Shtëpisë ligjvënëse kërkonin mbështetjen e opozitës maqedonase, të VMRO-DPMNE-së, që t’u bashkohen në protesta, si dhe njëkohësisht kërkonin nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, të mos e nënshkruajë miratimin e marrëveshjes.
Të dielën, në anën greke të liqenit të Prespës, shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe për partneritet strategjik, në prani të kryeministrave të të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kombeve të Bashkuara (OKB). Të dy kryeministrat e quajtën njëri-tjetrin miq, duke vlerësuar marrëveshjen si një ditë historike.