Botërori i Suprizave, Senegali mposht Poloninë e Lewa & Co

Polonia ka dështuar në përballjen e parë në Botëror ndaj Senegalit, ku skuadra nga Afrika e ka mposhtur me lojë, por edhe me rezultat skuadrën e udhëhequr nga Robert Lewandowski.

Senegali ka arritur një fitore historike në ndeshjen e parë të Kupës së Botës duke mposhtur Poloninë me rezultatin 2-1. Ishte një ndeshje me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat për dy gabime trashanike kanë vendosur fatin e sfidës.

Secila nga të dyja kombëtaret, kishte në përbërje një yll, tek afrikanët ishte sulmuesi i Liverpool-it, Sadio Mane, kurse tek evropianët, ai i Bayern Munchen, Robert Lewandowski.

Ky sukses në “Otkrytie Arena” të Moskës, bëri të lumtur jo vetëm senegalezët, por edhe gjithë afrikanët, pasi ishte fitorja e parë e një kombëtareje afrikane nw Rusi 2018.

Polonia e nisi mirë ndeshjen, duke luftuar me afrikanët e fortë fizikisht por nuk arrin të krijojë mundësi goli pasi Lewandowski është bllokuar më së miri nga mbrojtësit senegalezë. Pak përpara se të përfundonte pjesa e parë ishte autogoli i Cionek ai që zhbllokoi rezultatin për Senegalin që e meritonte golin për volumin e lartë të lojës të krijuar.

Me të filluar pjesa e dytë, Robert Lewandowski rrezikoi nga gjuajtja e lirë, por portieri Khadim N’Diaye e dërgon topin në rivënie nga këndi.

Senegali iu kundërpërgjigj me gol në minutën e 60-të. M’Baye Niang në një kundërsulm të shpejtë, kalon edhe Wojciech Szczesny që e kishte liruar portën dhe shënoi në portën e zbrazët.

Polonia tentoi të rikthehet në lojë me Arkadiusz Milik dhe Robert Lewandowskin, por pa sukses.

U desh të vije minuta e 85-të që polakët ta gjejnë golin. Grzegorz Krychowiak shënon me kokë pas një harkimi të bukur në zonë. Deri në fund nuk kishte më gola dhe senegalezët iu gëzuan tri pikëve.