Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, u shpreh se beson që hapja e negociatave të anëtarësimit BE-Shqipëri është një objekt i arritshëm në qershor, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, realizoi sot një takim me Mogherinin, ndërsa në konferencën e përbashkët për mediat të mbajtur në selinë Kryeministrisë së Shqipërisë, u fokusuan në disa çështje, si në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, bashkëpunimin rajonal, zhvillimet e fundit politikë në Shqipëri dhe çështje të tjera.
Rama theksoi se gjatë takimit kanë diskutuar për samitin e Berlinit, për sfidat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit rajonal, si dhe për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë.
“Folëm për tërësinë e reformave të ndërmarra, për pritshmëritë tona në vigjilje të daljes së raportit të progresit të Komisionit Evropian(KE), si dhe për ecurinë e mëtejshme të të gjitha përpjekjeve në funksion të thellimit të reformave dhe transformimit të gjithë aspekteve të jetës së vendit. Nuk është sekret që ne presim vetëm një përgjigje nga Komisioni Evropian, pra përgjigjen se i kemi kryer plotësisht detyrat e shtëpisë dhe meritojmë çeljen e negociatave për anëtarësim”, tha Rama.
Ai theksoj se Shqipëria flet me gjuhën e rezultateve mbi ta cilat sipas tij duhet edhe të gjykohet.
Ndërsa Mogherini duke folur për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri tha se “Ne besojmë që partitë politike nuk duhet t’u kthejnë shpinën rolit të tyre në proceset demokratike dhe përgjegjësisë që kanë ndaj qytetarëve.”
Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, ajo tha se, “Keni vazhduar të tregoni rezultate konkrete të angazhimit tuaj për reformat. Besoj se po kaloni tashmë në një proces të qenësishëm të reformës në drejtësi. Ajo që është arritur me reformën në drejtësi mbetet e paprecedentë jo vetëm në këtë rajon. Keni arritur të keni një reformë në sistemin e drejtësisë që do të ishte shembull edhe për disa nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”.
“Unë besoj që është një objektiv i arritshëm, pra çelja e negociatave në qershor, por nuk është e lehtë. Secili prej shteteve tona anëtare duhet që të bindet plotësisht. Besoj që kjo përpjekje e përbashkët kërkon që të gjitha palët të jenë të bashkuara për objektivin e integrimit evropian të Shqipërisë”, tha më tej Mogherini.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së u shpreh se mendon që Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë mund të jetë shembull për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajon, por edhe më tej.
Ndërsa në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ajo tha se “dialogu është i tyre, nuk na përket ne. Jo vetëm që ne respektojmë qëndrimet negociuese të secilës palë, por ne marrim shumë seriozisht edhe rolin tonë”.
Mogherini viziton Shqipërinë në kuadër të samitit të radhës të liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, që do të mbahet nesër në Tiranë.