Karta e Studentit do t’u mundësojë një sërë shërbimesh studentëve në kryeqytet, ku përfshihen hyrja në galeri, teatro e muze.
Ashtu sikundër u tha edhe në prezantimin përpara studentëve nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, një risi e Kartës së Studentit është se do të merret jo vetëm nga studentët e Universiteteve publike, por edhe ato jo publike.
Karta gjithashtu do të jetë si në format plastik, ashtu edhe elektronik. Kjo bën që çdo student mund ta përdorë atë përmes celularit, pa pasur frikën se mund ta humbasë apo ta harrojë ta marrë me vete.
Ndërkohë edhe bizneset private do të ofrojnë ulje për studentët e pajisur me kartën e studentit. Të rinjtë që do të kenë Kartën e Studentit, do të njoftohen me e-mail ose me sms për të gjitha shërbimet që entet publike apo ato private ofrojnë.
Ndërkaq, të gjitha entet publike apo bizneset që do t’i bashkëngjiten nismës për kartën e studentit, do të vendosin në mënyrë të dukshme një etiketë.
Karta e Studentit që pritet të nisë të shpërndahet brenda muajit maj, është një nga pikat e zbatuara të Paktit për Universitetin.