Pas djegies së mandateve dhe protestave të njëpasnjëshme për largimin e Ramës, opozita kërkon që të ngjallë tek qytetarët mosbindje civile.
Turi i takimeve me qytetarët qellim të vetëm nuk ka vetëm shpalosjen e platformës për nesër në qeveri, por dhe nxitjen tek ata të revoltës kundër Kryeministrit dhe qeverisë socialiste, raporton Ora News.
Pas mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve Partia Demokratike vendosi të protestojë çdo të enjte para parlamentit, ndërsa në 16 mars do të thërrasë edhe një protestë masive kombëtare.
Ky është momenti kryesor i opozitës në rrugën e saj për largimin qeverisë Rama, pas dorëzimit të mandateve. Por krahas kësaj, mësohet se zyrtarët e opozitës përfshirë dhe deputetët që kanë lënë mandatet, nga të gjithë forcat politike, do të angazhohen në një tur takimesh me qytetarët në gjithë vendin të ndarë në grupe punë, kryesisht mbi zonat që përfaqësojnë.
Këto takime kanë për qëllim shpalosjen e platformës së opozitës për nesër në qeveri, e kjo për faktin se ata janë të bindur se Rama do të dorëhiqet dhe se do të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Sezoni i protestave vetëm sapo ka nisur dhe nuk do të ketë të ndalur. Asgjë nuk do ta frenojë energjinë popullore për largimin e të keqes”, tha Basha.
Takimet me qytetarët qëllim të vetëm nuk kanë shpalosjen e alternativës, por dhe bindjen që ata të bashkohen në protestë kundër qeverisë. Të njëjtat burime i thanë televizionit Ora, se opozita po përpiqet që të provokoje edhe mosbindje civile, në kushtet kur sipas saj të gjitha taksat e qyteteve shkojnë për oligarkët afër qeverisë nëpërmjet akteve të ndryshme korruptive.
Një rrafsh tjetër ku opozita është angazhuar dhe po punon fort, është bindja e faktorit ndërkombëtarë për aktin e pa precedent që ndërmori, djegien e mandateve.
Krahas betejës ne shesh, Lulzim Basha, ka riaktivizuar ndjeshëm takimet dhe kontaktet me ndërkombëtarët në përpjekje për ti bindur se situata në vend nuk është normale, dhe se qeveria transitore është zgjidhja.