Zyra e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë organizuan një aktivitet me temë: “Së bashku për një internet më të mirë”, që kishte në fokus sigurinë e fëmijëve gjatë aksesit të tyre në internet, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin që u zhvillua në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë ishin të pranishëm nxënës nga disa qytete të Shqipërisë, të cilët u bënë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre të bëjnë kujdes në përdorimin e internetit dhe mos të diskriminojnë njëri-tjetrit.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Roberto De Bernardi, në fjalën e tij në këtë aktivitet tha se interneti ka ndryshuar shumë aspekte të jetës. Sipas tij, përveç komunikimit interneti ka ndryshuar edhe mënyrën se si fitohen njohuritë dhe dijet.
Duke iu drejtuar fëmijëve ai tha se “Ju nuk e kuptoni këtë, pasi keni lindur në epokën dixhitale, por ne që e kemi parë më përpara, tani shikojmë sesa ka ndryshuar. Ka ndryshuar edhe mënyra se si komunikojmë në familje, ka ndryshuar dhe mënyra se si komunikojmë me fëmijët”, deklaroi De Bernardi.
Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri (AKCESK), Vilma Tomço, tha se bashkë me UNICEF-in kanë filluar një projekt ndërgjegjësues.
“Si pjesë e këtij projekti u trajnuan 300 fëmijë dhe kjo ishte një detyrë e vështirë që mori autoriteti jonë. Ne kemi përgjegjësi të mëdha dhe projekte të tjera, por kjo e juaja ishte sfide me veten tonë dhe për fëmijët tanë. Kështu që menduam se jo gjithnjë jemi ne ata që ju drejtojmë juve, por duhet të jeni ju që duhet të merrni frenat e këtij vendi në dorë, të edukoni veten, shokët dhe të trajnoni njëri-tjetrin”, tha Tomço.
Sipas saj, nga interneti duhet të mësohen të mirat, duke shmangur të këqijat. “Le ta shfrytëzojmë internetin për t’u rritur profesionalisht, për t’u edukuar, për të marrë dije duke lënë mënjanë ngacmimet, vjedhjet, abuzimet dhe gjithçka të keqe që mund të ofrohet në internet”, tha ajo.
Për fushatën e ndërgjegjësimit për sigurinë në internet janë trajnuar mbi 300 “këshillues të vegjël për sigurinë online”, të cilët janë angazhuar për të ndërgjegjësuar bashkëmoshatarët e tyre për parandalimin dhe raportimin e situatave të dhunshme dhe të dëmshme online.
Kjo nismë, është zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë, në Tiranë, Kukës, Dibër, Lezhë, Fier, Berat dhe Elbasan.
Ky projekt do të vazhdojë për të trajnuar edhe 15 mijë fëmijë në mbarë vendin mbi kujdesin e përdorimit të internetit, rreziqet si dhe raportimin e abuzimeve online.