Rama: Balili nuk u vetëdorëzua! Realizuam me sukses operacionin
Kryeministri Rama e ka përshëndetur menjëherë në rrjetet sociale dorëzimin e të shumëkërkuarit Klement Balili, lëvizje të cilën e ka quajtur një hap të madh në luftën kundër krimit të organizuar.
Kryeministri Rama e ka përshëndetur menjëherë në rrjetet sociale dorëzimin e të shumëkërkuarit Klement Balili, lëvizje të cilën e ka quajtur një hap të madh në luftën kundër krimit të organizuar.
Më tej, Rama thotë se fakti që Balili gjendet tashmë prapa hekurave është një përgjigje kuptimplotë për të gjithë “qentë”, siç i quan ai, që lehin ndërkohë që karvani ecën përpara me vendosmëri.
“Klement Balili prapa hekurave një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe një përgjigje kuptimplotë, për të gjithë qentë që lehin, ndërkohë që karvani do të ecë me vendosmëri përpara Urime për këtë rezultat Ministrit Lleshi, Policisë së Shtetit dhe SHISH”, shkruan Rama, duke e përfunduar kështu reagimin e tij me urimet për ministrin Lleshaj dhe institucionet e përfshira në këtë operacion.
Por, ndryshe nga sa u raportua paraprakisht, për një vetëdorëzim të Klement Balilit në Policinë e Shtetit, Rama ka një pozicionim tjetër.
“Çfarë kazani që zien për vetëdorëzim, duke e nxjerrë sikur KB u ndal te dera e policisë pas një shëtitjeje në pedonalen e Delvinës. Ky është një nga operacionet më të sofistikuara policore, që ka vazhduar muaj të tërë. Vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i tij”.
Me këtë reagim, Rama lë të kuptohet se Balili nuk është vetëdorëzuar, por është kapur ose bindur, nga policia dhe shërbimet sekrete.
Ndalimi i Balilit, Meta: Vlerësoj ndërkombëtarët për presionin
Nga Lezha, ku ka qenë këtë të martë, presidenti Ilir Meta ka komentuar dy prej zhvillimeve të politike dhe jopolitike të orëve të fundit.
Së pari, në lidhje me propozimin e kryeministrit Rama që emri i tij të dekretohet edhe si ministër i Jashtëm, një rol që do ta mbajë përkohësisht derisa të ngrihet Gjykata Kushtetuese për të zgjidhur ngërçin Kryeministri-Presidencë.
“Për kryeministin ministër të Jashtëm, besoj se e kam dhënë një përgjigje dje. Do të jap një përgjigje të qartë, të përgjegjshme, shteruese, me qetësi por pa dashuri, brenda afateve kushtetuese”, tha Meta për kryeministrin.
Ndërkohë që përshëndeti edhe ndalimin e Klement Balilit, një person që e cilësoi si me probleme shumë serioze.
“E përshëndes ndalimin e Klement Balilit, një person me mjaft probleme me ligjin. Me këtë rast dua të falënderoj jo vetëm agjencitë ligjzbatuese, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për presionin e gjithanshëm për të arritur këtë rezultat sot”, tha Meta.
Deklaratat, Meta i bëri nga Bashkia e Lezhës, e cila iu përgjigj kërkesës presidenciale për fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut.
Lleshaj: Balili, në duart e policisë. I siguruam një proces të drejtë ligjor
Në një deklaratë nga Ministria e Brendshme, të njoftuar paraprakisht edhe nga Kryeministria, ministri Sandër Lleshaj konfirmoi vetëdorëzimin e Klement Balilit, pa dhënë detaje operacionale, teksa dha edhe një mesazh të vendosur për vijimin e luftës ndaj krimit të organizuar.
“Policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë e të ndërlikuar për Klement Balilin. Nga sot Policia ka në duart e saj një nga personat e saj më të kërkuar, ndërsa qytetarët marrin një mesazh të rëndësishëm nga policia që duan”, tha ministri Lleshaj.
Policia e Shtetit, sipas tij është në gatishmëri për t’u përballur me këdo, e gatshme dhe e aftë për të kaluar në fazën vendimtare për luftën kundër krimit të organizuar, me aftësi të përmirësuara goditëse.
“Në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, po e ngushtojmë gjithnjë e më shumë mundësinë që kriminelët t’i shpëtojnë policisë. Të gjitha ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin e dinë mirë se mundësia për të shkuar para hekurave të qelisë është shumë e madhe”, tha ministri Lleshaj.
Në fund, Sandër Lleshaj dha edhe një paralajmërim:
“Rruga e vetme për ta është bashkëpunimi me drejtësinë, rrugë tjetër për ta nuk ka. Të gjitha institucionet janë sot të inkurajuara për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të mundësuar progresin e shpejtë drejt integrimit të vendit në BE”.
I pyetur nga gazetarët e pranishëm nëse ishte vetëdorëzim, apo operacion për arrestimin e tij, ministri Lleshaj konfirmoi se ka qenë arrestim, por nuk mund të jepte detaje operacionale mbi vendin se ku e kishin arrestuar.
Por çfarë sigurie i është ofruar një të kërkuari të këtij niveli, atëherë, që ai të mund të “vetëdorëzohej”, apo të mos bënte rezistencë teksa e arrestonin? Lleshaj hoqi çdo dyshim për këtë, kur tha se i është ofruar siguria e një procesi të drejtë ligjor.
Paloka për vetëdorëzimin e Balilit: Skemë e kontrolluar si me Tahirin
Vetëdorëzimin e Klement Balilit, Partia Demokratike nuk e quan një hap të madh në luftën kundër krimit, siç e cilësoi kryeministri, por një skemë të kontrolluar dhe menaxhuar në pakt me Edi Ramën.
Të paktën kështu u shpreh nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, në një dalje për mediet pas ndalimit të të shumëkërkuarit nga policia shqiptare, i ashtuquajtur edhe “Eskobari” i Ballkanit.
Sipas Palokës, “pas marrjes nën kontroll të plotë të Prokurorisë, skema për Balilin është e njëjtë me atë për Tahirin: dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge”.
“Rasti i Saimir Tahirit – tha Paloka, – do ta provojë së shpejti skemën. Tahiri do të marrë pafajësi për trafikun e drogës dhe do të shpëtojë me akuzën më të lehtë të ‘shpërdorimit të detyrës’. Vetëdorëzimi i Balilit, që ka pasur këto 5 vite mbrojtjen e qeverisë së Edi Ramës, tregon se policia, qeveria dhe drejtësia janë në duart e Edi Ramës, që ka lidhur fatin e tij politik me fatin e krimit”, deklaroi Paloka.
Ja deklarata e plotë:
Shoqërimi i Klement Balilit në qeli nuk është një hap i madh kundër krimit, por dorëzim i kontrolluar dhe i menaxhuar i Eskobarit të Ballkanit në pakt me Edi Ramën.
Me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin: dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge.
Rasti i parë, kur kjo do të provohet, si çdo denoncim tjetër i Partisë Demokratike për lidhjet e Edi Ramës me krimin, do të jetë rasti i Saimir Tahirit.
Për ish ministrin e drogës, i cili e la mandatin e deputetit dhe u vu në mënyrë të kontrolluar në arrest shtëpie, sa për të gënjyer partnerët, po përgatitët lirimi nga akuza kryesore për bashkëpunim në trafikun e drogës. Shpërdorimi i detyrës do të jetë akuza më e lehtë për të, sepse Edi Rama kontrollon hetimin.
Skema “Tahiri” do të funksionojë edhe për bashkëpunëtorin e tij, Klement Balili. Prandaj Drejtori i Transporteve të Edi Ramës, të cilin Partia Demokratike e denoncoi 5 vjet më parë si person kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, ka pranuar të vetëdorëzohet.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Klement Balili, ka patur mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës.
-Ka jetuar në Sarandë dhe zonat përreth saj nën mbrojtjen e Edi Ramës
-Megjithëse në kërkim ndërkombëtar, kompania e tij ka marrë, deri pak muaj më parë, 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës, shumicën e tyre pa garë.
-Pasuria e tij, përfshirë edhe resortin luksoz në Sarandë, është ruajtur e paprekur nga qeveria e Edi Ramës. Të gjithë në Sarandë e dinë se konfiskimi i resortit luksoz është vetëm fasadë dhe se Klement Balili e menaxhon në të vërtetë resortin, me të cilin mban peng Edi Ramën.
Propaganda nuk do ta ndihmojë Edi Ramën të shesë si sukses skemën e dorëzimit të kontrolluar të Klement Balilit për ta mbrojtur atë, njësoj si Saimir Tahirin.
Ky nuk është rasti për të duartrokitur Policinë, por për të kuptuar se Policia, qeveria dhe drejtësia janë, për fat të keq, në duart e një njeriu të vetëm, që ka lidhur fatin e pushtetin të tij me fatin e krimit.