Numri i emigrantëve të parregullt që hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian (BE) vitin e kaluar ishte më i ulët në krahasim me 5 vitet e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raporti i Agjencisë evropiane për Siguri Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), thekson se numri i emigrantëve që kanë hyrë në vendet e BE-së ka rënë me 25 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm.
Arsyeja kryesore për rënien e numrit të emigrantëve të parregullt qëndron në uljen e numrit të personave që kanë përdorur rrugën e Mesdheut në vitet e kaluara për të hyrë në Itali.
Raporti gjithashtu potencon se numri i migrantëve në atë rrugë u zvogëlua me 80 për qind krahasuar me vitin 2017.
Sipas të dhënave të Frontex-it, në vitin 2018 është regjistruar numri më i vogël i migrantëve të parregullt që kanë hyrë në vendet e BE-së, rreth 150 mijë.
Ata theksuan se 18 për qind e emigrantëve të parregullt, të cilët arritën në disa vende të BE-së vitin e kaluar, janë gra. Theksohet se çdo i pesti person është nën moshën 18 vjeçare, ndërsa në mesin e tyre ka 4.000 të mitur pa shoqërim prindëror.