Projektligji i Ministres Nikolla për gjobat dhe sanksionet ndaj pedagogëve në rast të vjedhjeve të punimeve shkencore, nuk shihet pozitivisht nga pedagogët. Redi Muçi e quan këtë draft një presion të qeverisë.
Një projektligj i Ministres së Arsimit ende në detyrë, Lindita Nikolla, parashikon sanksione në gjobë për plagjiaturat e punimeve shkencore, kryesisht për pedagogët.
Kështu drafti që do të dorëzohet në Parlament, parashikon verifikimin e titujve akademikë dhe gradave shkencore të dhënë nga Universitetet ku sanksionohen penalitete të rënda financiare për ata që vjedhin punime shkencore.
Këto penalitete nisin me gjoba nga 1 milion deri ne 3 milion leke te reja, heqja e gradës shkencore si edhe ndërprerjen e kontratës së punës.
Por për pedagogun, Redi Muçi, ky projektligj është thjesht një presion i qeverisë.
Redi Muçi: Është thjesht një mjet presioni jo një tentativë reale për të rritur cilësinë, për të ndërprerë plagjiaturat që është një akt i domosdoshëm që duhet bërë. Mendoj se është një taktikë e qeverisë për ta zhvendosur problemin nga një problem sistemor në një problem të konfliktit pedagog-student.
Muçi thotë se ky projektligj ka edhe gabime për mënyrën e verifikimit të gradave dhe titujve shkencorë.
Redi Muçi: Nuk do të ngrihen struktura të cilat do të shqyrtojnë nëse një punim shkencor është plagjiaturë apo jo, por do të ngrihen struktura të cilat do të marrin në konsideratë ankimimet për një Doktoraturë të mbrojtur.
Sipas pedagogut, zgjidhja është rritja e buxhetit të arsimit.
Redi Muçi: Zgjidhja më e mirë detyrimisht do të niste nga anulimi i ligjit, së dyti rritja e buxhetit të qeverisë për arsimin në terësi dhe për kërkimin shkencor në veçanti, që të mundësonte realisht kushtet për të zhvilluar kërkim shkencor.
Ndërkohë të hënën e 7 janarit, studentët do të mblidhen sërish në protestë./OraNews