Kryeministri Edi Rama zhvilloi mëngjesin e sotëm një takim me pedagogë dhe studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës në fokus të të cilit ishin kërkesat e studentëve që protestojnë prej 2 javësh.
Rama tha se arsimi i lartë ka më shumë probleme sesa 8 pikat e parashtruara, por me rëndësi ka dialogu mes qeverisë dhe studentëve.
Sipas Ramës rritja e buxhetit për arsimin në 5% është i pamundur për momentin, por ai u shpreh i hapur për të diskutuar mënyrën e rritjes së fondeve për këtë sektor.
Rama sqaroi edhe një herë çështjen e tarifave duke u shprehur i hapur për ta bërë atë “zero” për studentët ekselentë, të verbrit apo ata që familjet e tyre trajtohen me ndihmë ekonomike, por u shpreh kundër që lehtësi të tilla të kenë studentët me rezultate të ulëta.
Pjesë e diskutimit ishte edhe çështja e doktoraturave, rritja e fondeve për praktikën, bordet e kontrollit të financave, etj.
Rama tha se refuzimi i studentëve për të dialoguar nuk do të zgjidhë çështjen. Një ditë më parë Rama takoi edhe studentë e pedagogë të Fakultetit të Gjeologji – Miniera./TVKlan