Çmimet e naftës së papërpunuar kanë marrë një trend të rritjes sot, paralelisht me dobësimin e dollarit, ndërkohë që “armëpushimi” nga lufta tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës ka inkurajuar një optimizëm për kërkesën në nivel global, raporton Anadolu Agency (AA).
Marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar Brent filloi sot tregtimin me 62.11 dollarë për fuçi, ose një rritje me 0.3 për qind, ndërsa një ditë më parë tregtohej me 61.89 dollarë për fuçi.
Marka amerikane West Texas Intermediate (WTI) sot shitet 53.34 dollarë për fuçi, një rritje me 0.2 për qind nga e hëna, kur tregtohej me 53.25 për fuçi.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi të hënën se Kina ka pranuar “uljen dhe heqjen” e tarifave të vendosura ndaj automjeteve amerikane.
Dy ekonomitë më të mëdha në botë, në përfundim të takimit G20 në Buenos Aires ranë dakord se nuk do të vendosnin më shumë tarifa dhe se nuk do të rrisnin normën e tarifave për të paktën 90 ditë, derisa Washingtoni dhe Pekini të mbajnë takime për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare.
Armëpushimi tre-mujor ka sjellë optimizëm në tregjet investuese, pasi mosmarrëveshja tregtare është vendosur në pushim, dhe si e tillë, ajo nuk mund të reflektojë mbi vendet tjera që janë importues të mëdhenj të naftës, por përkundrazi do të mbajë të lartë kërkesën për naftë të papërpunuar.