BE-ja thirrje Italisë për ndryshimin e buxhetit

"Ndërrimi i tonit të diskutimit është një hap i mirë, por Italia duhet të bëjë ndryshime të rëndësishme në buxhetin e vitit 2019", tha zëvendës presidenti i KE-së, Dombrovskis

Zëvendës presidenti i Komisionit Evropian (BE), Valdis Dombrovskis deklaroi se Italia duhet të bëjë ndryshime të rëndësishme në buxhetin për vitin 2019″, raporton Anadolu Agency (AA).

Dombrovskis në deklaratën për media në hyrje të Takimit të Grupit Euro, i cili bashkoi në Bruksel ministrat e Financave të 19 vendeve anëtare të BE-së të cilët e përdorin monedhën euro, tha se zyrtarët e BE-së dhe të Italisë vazhdojnë që të zhvillojnë takime intensive në lidhje me buxhetin e Italisë për vitin 2019.

“Ndërrimi i tonit të diskutimit është një hap i mirë, por Italia duhet të bëjë ndryshime të rëndësishme në buxhetin e vitit 2019”, tha ai.

Dombrovskis po ashtu njoftoi se në takim do të diskutohen buxhetet për vitin 2019 të vendeve të zonës euro, gjendja ekonomike dhe pozicionet financiare të vendeve anëtare.

Diskutimi për buxhetin

Në projekt-buxhetin e Qeverisë së Italisë, i cili më 15 tetor iu dërgua KE-së, synimi për deficit buxhetor për vitin e ardhshëm në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishte 2,4 për qind. Italia ka njoftuar se në vitin 2020 deficitin buxhetor do ta ulë në 2,1 për qind ndërsa në vitin 2021 në 1,8 për qind. Institucionet e BE-së dhe vendet anëtare kritikuan këtë plan buxhetor të Italisë.

BE-ja më 21 nëntor nisi një proces disiplinor të quajtur “Procedura e Deficitit të Tepruar” ndaj Italisë, me arsyetimin se projekt-buxheti i Italisë për vitin 2019 nuk i përshtatet rregullave dhe nuk e zvogëlon borxhin publik.

Sipas rregullave të BE-së, deficiti i vendeve anëtare duhet të jetë më i ulët se 3 për qind nga PBB, ndërsa borxhi publik nën 60 për qind të PBB-së. Kur tejkalohet ky kufi, duhet të njoftohen masat që do të zbatohen dhe duhet të zhvillohet një luftë efektive në këtë drejtim.