Rusia sinjalizon shkurtimin e prodhimit, rriten çmimet e naftës

Ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, në një prononcim për gazetarët në Moskë, tha se jetësimi i shkurtimit të prodhimit, nëse do të ndodhë, do të bëhet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm

Çmimet e naftës së papërpunuar, mëngjesin e së premtes kanë shënuar një rritje si rrjedhojë e sinjalizimeve të Rusisë se në gjysmën e parë të vitit 2019 do të mund të shkurtojë prodhimin e naftës së papërpunuar, si dhe nga deklarata e një zyrtari amerikan i cili tha se që nga fillimi i sanksioneve të SHBA-ve kundër atij vendi më 5 nëntor, eksportet e naftës së Iranit kanë rënë me një milion fuçi në ditë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, në një prononcim për gazetarët në Moskë, tha të enjten se jetësimi i shkurtimit të prodhimit, nëse do të ndodhë, do të bëhet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

Novak sqaroi se Rusia akoma nuk ka marrë një vendim përfundimtar për uljen e prodhimit, duke shtuar se bashkëpunimi midis OPEC dhe vendeve që nuk janë anëtare të kësaj organizate do të sjellë shumë përfitime për tregun e naftës.

Ndonëse mbetet e paqartë se në çfarë sasie dhe për sa kohë Rusia do të shkurtojë prodhimin e naftës së papërpunuar, OPEC-u pret që kjo të jetë mes 1.2 dhe 1.4 milion fuçi në ditë (mbpd).

Të premten, kur mbyllet tregtimi për javën respektive, marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar Brent, shitej me 60.12 dollarë për fuçi, një rritje me 0.6 për qind nga e enjtja.

Marka amerikane West Texas Intermediate (WTI) tregtohet me 51.54 dollarë për fuçi, një rritje me 0.3 për qind nga një ditë më parë.