Shoferët në Francë, kanë paralajmëruar bllokimin e rrugëve anembanë vendit, në shenjë pakënaqësie ndaj rritjes së taksave të karburanteve, një sfidë e re për presidentin Emmanuel Macron, i cili është në shënjestër të kritikave, transmeton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit janë zotuar se në shënjestër të bllokadave të tyre të sotme, do të jenë pikat pagesore, rrethrrotullimet, dhe unazat të cilat e lidhin Parisin me qytetet tjera.
Qeveria nga ana e saj ka mobilizuar policinë për t’i hequr protestuesit të cilët i ka kërcënuar me gjoba.
Taksat janë një pjesë e strategjisë së Macronit për të larguar Francën nga lëndët djegëse fosile, ndërkohë njerëzit thonë se është një qasje e qeverisë të shkëputur nga vështirësitë ekonomike me të cilat përballen njerëzit.
Protestuesit e kanë quajtur veten “xhaketat e verdha”, nga shkaku i detyrimit të shoferëve që të mbajnë në automjetet e tyre xhaketat fluoreshente, të cilat duhet t’i veshin në rast të problemeve me automjetin në rrugë.
Një ditë më parë, auto-ambulancat bllokuan shkurtimisht rrugën Champs-Elysees të Parisit, në shenjë proteste ndaj rregullave të reja për financimin e auto-ambulancave.