Kryetari i Kuvendit Kombëtar të dhomës së ulët të Parlamentit të Pakistanit, Asad Kaiser kërkoi që Turqia të marrë pjesë në projektin e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan (CPEC).
Kasier, i cili mirëpriti në parlament Ambasadorin e Turqisë në Islamabad, Ihsan Mustafa Jurdakull (İhsan Mustafa Yurdakul), u prononcua për radion shtetërore të Pakistanit.
“Pakistani i jep rëndësi të madhe marrëdhënieve me Turqinë dhe qeveria e re, duke i çuar edhe më përpara, dëshiron të fuqizojë edhe më shumë marrëdhëniet me Turqinë” tha Ai.
Ai ftoi Turqinë në projektin 75 miliardë dollarësh, ku muaj më parë u përfshi edhe Arabia Saudite, dhe vijoi duke thënë: “Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan do të jetë i dobishëm ekonomikisht edhe për dy vendet mike si Turqia dhe Pakistani. Përfshirja e Turqisë është në dobi të të gjitha vendeve të rajonit”.
Edhe Judakull tha se Turqia i jep rëndësi marrëdhënieve me Pakistanin dhe premtoi se për këtë arsye do të bëhet ç’të jetë e nevojshme për zhvillimin e marrëdhënieve me Pakistanin.
Ai ftoi Kaiserin të marrë pjesë në mbledhjen e Unionit të Parlamentarëve për Jerusalemin, që do të zhvillohet në Stamboll më 14 dhjetor.
CPEC, që u vu në zbatim me marrëveshjen e bërë në vitin 2014 ndërmjet Kinës dhe Pakistanit, fillon nga Sinxhani në Kinë dhe përfundon në portin Gvadar në Pakistan.
Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan, që përbëhet nga projekte të mëdha si rrugë tokësore, rrugë hekurudhore, linja naftësjellëse dhe gazsjellëse, rafineri nafte dhe porte, siguron transportin e shkurtër dhe të lirë të Kinës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme./TRT