Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të japë një kredi prej 6 milionë euro për një bankë private në Shqipëri, me qëllim për të rritur efikasitetin e energjisë së gjelbër, transmeton Anadolu Agency (AA).
Financimi i ri për Shqipërinë mundësohet nëpërmjet programit prej 85 milionë euro të BERZH-it në kuadër të Programit të Financimit të Ekonomisë së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor (GEFF).
“Programi është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian (BE), donatorëve dypalësh dhe vendeve përfituese që bashkëpunojnë nën Kuadrin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe implementohet në partneritet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë. Ministria Federale Austriake e Financave do të mundësojë bashkëpunim teknik në mbështetje të investimeve për teknologjinë e gjelbër”, thuhet në njoftimin nga BERZH.
Sektori privat i ndërtimit dhe ai rezidencial në Shqipëri do të përfitojë nga një akses më i madh në financim, në kuadër të kësaj kredie. Programi mbështet investime në projekte rezidenciale me teknologji të gjelbër.
Përfituesit nga ky fond mund të investojnë në izolim, panele diellore dhe teknologji të tjera të gjelbra.