Kosovë, afaristët mbështesin vendosjen e tatimit ndaj prodhimeve nga Serbia dhe BeH

Panxha konsideron se vendimi i qeverisë për të vendosur tarifa ishte i domosdoshëm, sepse në Kosovë, shpesh kishte produkte nga Bosnja e Serbia që janë shitur nën çmimin e prodhimit

 Oda Ekonomike e Kosovës dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës mbështesin vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për të vendosur tatim prej 10 për qind për të gjitha produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, raporton Anadolu Agency (AA).

Udhëheqësit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Rukiqi dhe Astrit Panxha, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim për rritjen e eksporteve dhe forcimin e zonave ekonomike, deklaruan se mbështesin vendimin e Qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifat e importit prej 10 për qind për të gjitha produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, meqë konsiderojnë se kjo është në interes të Kosovës.

Rukiqi lidhur me reagimin e ashpër të Brukselit, i cili kërkon të tërheqë këtë vendim, sepse shkel marrëveshjen e CEFTA-s, tha se Kosova vazhdimisht ballafaqohet me barrierat jo-tarifore. Ai tha se, për shembull, Kosova humb 30 milionë euro vetëm për shkak të moszbatimit të marrëveshjes së energjisë midis Kosovës dhe Serbisë dhe se tregtia e lirë e përhapur nga CEFTA nuk ka kuptim nëse nuk ka tregti dypalëshe.

“Nëse shikohen tregjet përreth, kudo jemi ballafaquar me këto barriera jotarifore. Asnjëherë Brukseli, as instancat tjera, nuk kanë reaguar ashpër ndaj kërcënimit të barazisë së përdorimit të kësaj marrëveshjeje, CEFTA. Sjellja e Komisionit Evropian dhe Brukselit në raport me marrëveshjet ndërkombëtare duhet ndryshuar, që të gjithë të trajtohen dhe presioni të ushtrohet ndaj të gjithve, e jo vetëm në rastet kur ne marrim vendime të caktuara”, tha Rukiqi.

Panxha konsideron se vendimi i qeverisë për të vendosur tarifa ishte i domosdoshëm, sepse në Kosovë, shpesh kishte produkte nga Bosnja e Serbia që janë shitur nën çmimin e prodhimit.

“Një bllok ndërtimi nga Serbia në tregun e Kosovës shitet më lirë se në Serbi. Qumështi nga Bosnja në Kosovë shitet më lirë sesa në BeH. Kjo është një shkelje drastike e marrëveshjes së CEFTA-s, prandaj vendimi i qeverisë është i drejtë ndaj këtyre dy vendeve. Ironia më e madhe është kur ne kërkojmë një shpjegim për këtë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ne nuk marrim përgjigjen sepse nuk kanë komunikim zyrtar me vendin tonë, sepse ata nuk na njohin si shtet”, tha Panxha.

Ai gjithashtu përmendi edhe shembullin e prodhimit farmaceutik, ku Serbia eksporton në Kosovë më shumë se 5 milionë euro në vit ndërsa Kosova nuk mund të regjistrojë barnat e saj në Serbi. Ai shtoi se është e njëjtë edhe me tenderët sepse kompanitë e Kosovës nuk mund të marrin pjesë në tenderët në Serbi ndërsa qindra kompani serbe në Kosovë kanë marrë tenderë me vlerë mbi 100 milionë euro.

Panxha i kërkoi Brukselit që të adresojë çështjen e zgjidhjes së shkeljeve të marrëveshjes CEFTA në Beograd, e jo në Prishtinë. BeH në Kosovë eksporton mallra me vlerë prej rreth 81 milionë euro në vit ndërsa Kosova në BeH me vlerë rreth 9 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, Serbia eksporton mallra me vlerë 450 milionë euro në vit për Kosovën dhe sipas Rukiqit, duke marrë parasysh ekonominë gri, kjo vlerë shkon deri në 600 milionë euro. Kosova eksporton mallra me vlerë rreth 48 milionë euro në Serbi.